Qeveria italiane ka zyrtarizuar marrëveshjen për njohjen reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë, duke e publikuar atë në Fletoren Zyrtare. Marrëveshja, e firmosur më 6 shkurt 2024 në Romë, hap rrugën për zbatimin e saj brenda pak javësh, duke garantuar të drejtat për pensionet e shqiptarëve në Itali dhe italianëve në Shqipëri.
Ky zhvillim është një hap historik për rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, si dhe për rreth 4 mijë italianë në Shqipëri, duke ofruar siguri dhe perspektivë të re për të ardhmen e tyre sociale dhe financiare.
Përfitimet e marrëveshjes
Marrëveshja bazohet në parimin e barazisë dhe reciprocitetit, duke lehtësuar aksesin në shërbimet e sigurimeve shoqërore pa kosto shtesë për përfituesit. Zyrat e sigurimeve shoqërore të secilit vend do të trajtojnë kërkesat e qytetarëve të shtetit tjetër si të ishin pjesë e administratës së tyre, duke shmangur burokracitë dhe duke garantuar efikasitet.
Objekt i kësaj marrëveshjeje janë:
✅ Pensioni i pleqërisë
✅ Pensioni i invaliditetit
✅ Pensioni familjar
✅ Sigurimi për sëmundjet dhe barrëlindjen
✅ Sigurimi i papunësisë
Financimi dhe zbatimi
Për të garantuar zbatimin e marrëveshjes, Italia ka miratuar fonde specifike për vitet në vijim:
🔹 12 milionë euro për vitin 2025
🔹 13.6 milionë euro për vitin 2026
🔹 13.1 milionë euro për vitin 2027
🔹 15.1 milionë euro për vitin 2028
🔹 17 milionë euro për vitin 2029
🔹 19.3 milionë euro për vitin 2030
🔹 21.3 milionë euro për vitin 2031
🔹 23.4 milionë euro në vit nga 2032 e në vazhdim
Marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë
Që prej vitit 2005, Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh dypalëshe për njohjen e sigurimeve shoqërore me vende si:Turqia, Belgjika, Hungaria, Luksemburgu, Çekia, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Austria, Bullgaria, Kanadaja, Rumania, Kosova, Zvicra dhe Kroacia.
Pranë hyrjes në fuqi janë marrëveshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë, ndërsa vijojnë negociatat me Poloninë dhe Serbinë.
Gjithashtu, kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave: Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Një proces i avancuar po zhvillohet me Francën, ndërsa me Greqinë negociatat vijojnë për shkak të kompleksitetit teknik. Bisedimet me Letoninë do të nisin në prill, ndërsa po zhvillohen takime edhe me Izraelin, duke e çuar numrin e marrëveshjeve në rreth 27-28.
Ky angazhim për zgjerimin e rrjetit të marrëveshjeve të sigurimeve shoqërore vjen si pjesë e përpjekjeve për të garantuar mbrojtje sociale dhe siguri për qytetarët shqiptarë kudo në botë.




