Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi pasditen e sotme projektvendimin “Për rregullat për administrimin, numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dokumentacionin përkatës, si dhe tabelimin e rezultatit të votimit nga jashtë vendit“.
Kryetarja e Komisionit Rregullator, Ilirjana Nano bëri me dije në nisje të diskutimeve se ky propozim është i kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, ndërsa është konsultuar mes anëtarëve të komisionit, përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore etj. “Për ta sqaruar, ky projektvendim ka ardhur më herët në KQZ, para ndryshimeve të Kodit Zgjedhor”, tha Nano.
Ndërkohë, drejtoresha e Votës nga Jashtë pranë KQZ-së, Jona Josifi u shpreh se “ky projektvendim në kreun e parë parashikon parimet mbi të cilat do të administrohet procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë”.
“Në kreun e dytë parashikohen rregullat e përgjithshme të parashikuara në ligj sa i takon të njëjtit proces, por janë reflektuar edhe ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor ku përcaktohet se vlerësimi dhe numërimi i votave do të bëhet nga grupet e numërimit me përfaqësues nga partia më e madhe e shumicës parlamentare dhe partia më e madhe e opozitës. Do të ketë edhe një komision që do të administrojë këtë proces, edhe ky me përfaqësues nga partitë e sipërpërmendura. Në kreun tre, përcaktohen rregulla me procesin e vlerësimit dhe numërimit të votave, vendndodhja dhe rregullat për ngritjen e vendit për numërimin e votave nga jashtë, se kush do duhet të lejohet të jetë i pranishëm për numërimin e votave nga jashtë, përbërja e komisioni të administrimit, përbërja e grupeve të numërimit, afatet e ngritjes së këtyre grupeve dhe administrimi, dokumentacioni përkatës dhe tabelimi për votuesit jashtë vendit”, u shpreh Josifi.
Për sa i takon përgatitjes për numërimin e votave dhe vendin e numërimit të votave, kryetarja e Komisionit Rregullator, Ilirjana Nano tha se “është parashikuar që në rast se vendi i ruajtjes dhe administrimit zgjedhor të votës nga jashtë është i ndryshëm nga VNV, atëherë ky dokumentacion transportohet në ambientet e VNV-së (vendi i numërimit të votave)”.
Nano shtoi se ka pasur negociata për të siguruar një ambient të njëjtë që do të jetë i posaçëm edhe aty ku do të priten votat dhe ambienti ku do të numërohen.
“Kemi qenë në komunikim me autoritete të qeverisjes vendore, kemi mundur të sigurojmë një ambient ku do të kryhen tre procese, edhe përgatitja e materialit zgjedhor, edhe ruajtja e dokumentacionit, por edhe numërimi dhe vlerësimi i votave. Kemi marrë konfirmimin që do ta kemi këtë ambient në përdorim të KQZ-së për një periudhë 1 muaj e 20 ditë dhe që është Parku Olimpik i Tiranës “Feti Borova”. Është një ambient me hapësirë të mjaftueshme për të numëruar të 12 qarqet, ka aksesueshmëri, është një ndërtesë publike, nuk do të kemi kosto të tjera, përveç organizmit logjistik brenda”, pohoi Josifi.
Sipas Josifit, “ambientet e KQZ-së janë të pamundura për nga kapaciteti në hapësirë për këtë proces, ndërsa parku do të jetë i dedikuar vetëm për KQZ-në, nuk do të ketë lëvizje apo aktivitete të tjera që do të ndodhin paralelisht. Ka pajisje të shumta, me mijëra, kamera që përdoren në qendrat e votimit, pajisjet e identifikimit elektronik, numërimi elektronik etj”.
Projektvendimi u miratua me pesë vota pro.
KQZ gjithashtu miratoi edhe aktet e fundit që përcaktojnë si dërgohet dhe si kthehet pas zarfi i votave të diasporës. Emigrantët këshillohen që brenda 3 ditëve pasi marrin fletën e votimit, ta plotësojnë dhe ta kthejnë. Asnjë votë që mbërrin pas orës 19.00 të ditës së zgjedhjeve, nuk do të numërohet.
Sipas KQZ-së, votuesit në asnjë rast nuk duhet të bëjnë shënime mbi zarfet e votës, por vetëm duhet të votojnë në fletë. Po ashtu, nëpër zarfe nuk duhet të futet asgjë tjetër, veç fletës dhe zarfeve mbështjellës sipas shpjegimit.
Komisioni do të parapaguajë postën, kështu që emigrantët nuk do të paguajnë asgjë për këtë proces.