Më 18 mars 2025, një nga sallat më prestigjioze të Akademisë Britanike mirëpriti një event të rëndësishëm kulturor dhe historik kushtuar Butrintit. Aktiviteti u organizua nën kujdesin e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Shkëlqesisë së Tij, z. Uran Ferizi, në bashkëpunim me Administratorët e Besuar të Fondacionit Butrint – “Rothschild Foundation” dhe “The Linbury Trust”.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani. Fjalën përshëndetëse e mbajti Ambasadori Uran Ferizi, i cili nënvizoi rëndësinë e këtij projekti për Butrintin dhe e cilësoi atë si një qendër strategjike për zhvillimin turistik të Shqipërisë. Ai ftoi përfaqësuesit e Administratorëve të Besuar të investimit mbi Butrintin për të ndarë vizionin e tyre mbi të ardhmen e kësaj pasurie historike.
Themeluar gati 30 vjet më parë nga Lord Rothschild dhe Lord Sainsbury me mbështetjen e figurave vizionare si David Packard, Fondacioni Butrinti ka luajtur një rol kyç në ruajtjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie të pasur kulturore. Ambasadori Ferizi shprehu mirënjohjen për përkushtimin e familjeve Rothschild dhe Sainsbury, si dhe falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e këtij projekti.
Pjesëmarrës të veçantë në këtë event ishin fëmijët e Lord Sainsbury, Mark dhe Sara, si dhe nipërit e Lordit Rothschild, të cilët u vlerësuan për kontributin e tyre të çmuar. Një tjetër zë i rëndësishëm në këtë takim ishte Ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO, znj. Besiana Kadare, e cila theksoi vlerën e Butrintit si një pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO.
Në event mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Shkëlqesia e Tij, z. Ilir Kapiti, si dhe personalitete të njohura britanike, përfshirë historianin e shquar Sir Noel Malcolm, diplomatin Stephen Nash CMG dhe ish-Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, z. Alastair King-Smith.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte interpretimi i violinistes së talentuar Alda Dizdari, e cila ndau me publikun një histori prekëse personale mbi lidhjen e babait të saj, kompozitorit të njohur Limoz Dizdari, me amfiteatrin e Butrintit.
Ky event shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e investimeve dhe përkujdesjes për Butrintin, një qytet që ka ruajtur gjurmët e kulturave të mëdha – greke, romake, bizantine dhe otomane. Përmes këtij projekti ambicioz, Butrinti do të vazhdojë të mbetet një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm dhe një destinacion kyç në hartën kulturore botërore.







