Pas një urdhri ekzekutiv të ish-presidentit amerikan Donald Trump, që parashikon shkurtime masive në shtatë agjenci lajmesh, shërbimi shqip i Zërit të Amerikës është mbyllur, duke shënuar fundin e një epoke për këtë platformë mediatike që për 82 vjet ka qenë një burim i rëndësishëm informacioni për shqiptarët.
Që nga e shtuna, programi “Ditari” i Zërit të Amerikës, që transmetohej çdo ditë në orën 18:00 (CET), nuk është më në transmetim dhe nuk do të rikthehet për publikun shqiptar.
Lajmin e konfirmoi gazetari shqiptaro-amerikan Elez Biberaj, ish-drejtor për Euroazinë në Zërin e Amerikës, i cili e cilësoi këtë zhvillim si një moment të trishtuar në historinë e angazhimit të SHBA-së me botën.
“Zëri i Amerikës, një fener shprese dhe i së vërtetës për qindra miliona njerëz anembanë globit, u hesht sot në emër të reduktimit të burokracisë federale. Për më shumë se tetë dekada, ky institucion ka qenë një forcë jetike në promovimin e idealeve demokratike të Amerikës, duke paraqitur me besnikëri politikat e SHBA-së dhe duke shërbyer si një burim i besueshëm informacioni për miliona njerëz në rajone të privuara nga lajmet e pavarura,” shkroi Biberaj në një postim në rrjetet sociale.
Ai shtoi se ky vendim do të ketë pasoja të rënda për imazhin dhe interesat globale të Shteteve të Bashkuara.
Lexo edhe:77 vjet Zëri i Amerikës në shqip
Mbyllja e Zërit të Amerikës në shqip vjen në një kohë kur media e pavarur dhe informacioni i besueshëm konsiderohen jetikë për demokracinë dhe lirinë e fjalës në rajone të ndryshme të botës.



