Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe kompania e njohur e veshjeve sportive Macron kanë prezantuar fanellat e reja të Kombëtares Shqiptare, të cilat do të vishen nga Shqiponjat në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror FIFA 2026. Ekipi i drejtuar nga Silvinjo do të debutojë me këto uniforma më 21 mars, në sfidën e parë kualifikuese kundër Anglisë.
Fanellat e reja ruajnë ngjyrat tradicionale të Kombëtares, por sjellin një qasje artistike të frymëzuar nga simbolika kombëtare shqiptare. Ato përfshijnë një grafikë të stampuar, e cila nis nga shqiponja dykrenore dhe integrohet me elementë natyrorë dhe kulturorë që pasqyrojnë identitetin shqiptar.
Shqiponja, e cila është e pranishme në mëngë, pjesën e përparme dhe të pasme, përmban simbole me kuptime të thella historike dhe kulturore: malin, lumin, diellin dhe detin, që përfaqësojnë fuqinë dhe bukurinë e Shqipërisë. Në dizajnin e saj reflektohet guximi historik i Skënderbeut, ndërsa në mes ndodhet silueta e kundërshtarit, përballë syve të shqiponjës, duke simbolizuar luftën dhe sfidën në fushën e lojës.
Kjo fanellë nuk është thjesht një veshje sportive, por një manifest i bashkimit, krenarisë dhe pasionit për Kombëtaren, një përkushtim për ata që vijnë nga katër anët e botës për të përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet.
Fanella e parë (shtëpi) – e kuqe
Fanella kryesore është e kuqe, ngjyra e flamurit shqiptar, me një shirit kuq e zi në qafë dhe mëngë. Grafikët e stampuar krijojnë një shqiponjë të plotë, ku përfshihen figura si Skënderbeu, mali, deti, anija, yjet dhe dhelpra, elementë nga historia dhe folklori shqiptar.
Në të djathtë të gjoksit ndodhet logoja Macron Hero, ndërsa në të majtë, stema e FSHF-së. Në pjesën e pasme të qafës është i stampuar shkrimi “SHQIPËRI”, ndërsa shiriti i brendshëm mban frazën e njohur të Naim Frashërit: “Ti Shqipëri, më jep nder”, e shoqëruar me shqiponjën dykrenore. Fanella kombinohet me pantallona të zeza dhe çorape të zeza me detaje kuqezi.Fanella e dytë (transferte) – e bardhë
Fanella e dytë pasqyron të njëjtin dizajn, por me ngjyrë të bardhë si bazë dhe detaje kuqezi. Kombinohet me pantallona të bardha me vija të kuqe dhe të zeza, si dhe çorape të bardha me një vijë të kuqe dhe një tjetër të zezë.Fanella e tretë (alternative) – e zezë
Opsioni i tretë i fanellës është e zezë me detaje të kuqe, duke reflektuar një pamje elegante dhe të fuqishme. Pantallonat dhe çorapet janë gjithashtu të zeza me vija kuqezi.
Si të gjitha produktet e realizuara nga Macron, edhe fanellat e reja të Kombëtares janë prodhuar nga material ekologjik Eco Fabric, një poliestër 100% i riciklueshëm nga plastika pas konsumit.
Për komoditet maksimal dhe lehtësi në lëvizje, janë përdorur materiale si Eco Sirena për pjesën e përparme dhe mëngët, ndërsa Eco Micromesh dhe Eco Mesh në pjesën e pasme, duke garantuar frymëmarrje optimale për lojtarët.
Tifozët shqiptarë tashmë mund të blejnë fanellat e reja të Kombëtares në dyqanin online të FSHF-së, faqen zyrtare të Macron dhe në dyqanet e Intersport. Me këtë koleksion të ri, Shqiponjat do të zbresin në fushë me një stil unik, duke mbajtur mbi supe simbolikën dhe krenarinë e një kombi të tërë.