Elbasani është përfshirë sot nga një atmosferë festive, teksa qindra qytetarë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria kanë mbushur rrugët për të festuar Ditën e Verës, një nga festat më të dashura dhe të lashta shqiptare.
Fëmijët e shkollave, të veshur me kostume shumëngjyrëshe dhe plot kreativitet, kanë sjellë gjallëri dhe energji. Tingujt e muzikës popullore, aroma e ballokumeve tradicionale dhe panairet me produkte artizanale kanë krijuar një mozaik emocionesh, duke e kthyer Elbasanin në qendrën e festimeve pranverore.
Në këtë atmosferë kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, ka marrë pjesë në festime, duke ftuar qytetarët dhe turistët të bashkohen në zemër të qytetit për të përjetuar këtë ditë të veçantë.
Elbasani është shndërruar në një destinacion kryesor jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për turistë të huaj dhe përfaqësues të politikës, të cilët janë bërë pjesë e kësaj dite të rëndësishme. Ndërkohë, forcat e rendit kanë marrë masa për të garantuar një atmosferë të qetë dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit.
Nga sheshi qendror deri në parqet e qytetit, muzika, traditat dhe ngjyrat e festës kanë krijuar një përvojë unike për të vegjël e të rritur. Festimet do të vijojnë edhe në orët e pasdites, duke e kthyer Elbasanin në një qytet plot ritëm, jetë dhe emocione pozitive.