Më 13 mars 1965 u nda nga jeta Fan Noli, një prej personaliteteve më të shquara të historisë shqiptare. Prift, dramaturg, përkthyes, politikan, diplomat, poet dhe historian, ai la pas një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një kontribut të pashoq në letërsinë, kulturën dhe identitetin shqiptar.
Noli, i njohur për mendjemprehtësinë dhe kulturën e tij të jashtëzakonshme, u vlerësua gjerësisht edhe në arenën ndërkombëtare. Më 23 korrik 1924, gazeta britanike “The Manchester Guardian” e përshkruante atë si një burrë që do të kishte spikatur në çdo vend. Diplomat brilant, ekspert i politikës ndërkombëtare dhe mjeshtër i debatit, ai la gjurmë të pashlyeshme në Gjenevë, ku me mençurinë dhe humorin e tij të hollë, arriti të sfidonte kundërshtarët ballkanas dhe të imponohej si një figurë me kulturë të jashtëzakonshme.
Fan Noli nisi rrugëtimin e tij letrar me dramën “Israilitë dhe Filistinë”, botuar në Boston më 1907, e frymëzuar nga historia biblike e Samsonit dhe Dalilës. Por një nga arritjet e tij më të mëdha mbetet përkthimi i ritualeve dhe liturgjisë ortodokse në shqip, duke u bërë pionier i përhapjes së gjuhës amtare në shërbesat fetare. Dy veprat e tij madhore në këtë fushë, “Libri i Shërbesave të Shenjta të Kishës Ortodokse” (1909) dhe “Libri i Festave të Mëdha” (1911), u vlerësuan si kontribute të jashtëzakonshme për ruajtjen dhe forcimin e identitetit fetar e kombëtar shqiptar.
Në vitin 1921, Noli botoi veprën e tij monumentale në prozë, “Historia e Skënderbeut”, e cila hodhi dritë mbi jetën dhe luftën e heroit kombëtar shqiptar. Kjo vepër, e përpunuar më vonë në anglisht me titullin “George Castrioti Scanderbeg (1405-1468)” (New York, 1947), u bë një nga studimet më të rëndësishme mbi figurën e Skënderbeut, duke i shërbyer edhe si temë diplome në Universitetin e Bostonit.
Pas viteve ‘40, Fan Noli u angazhua në studime mbi muzikën dhe historinë botërore. Një nga veprat e tij më të veçanta është “Beethoven and the French Revolution” (1947), ku ai analizoi ndikimin e figurave historike si Julius Cezari, Jezusi, Skënderbeu dhe Napoleon Bonaparte në revolucionet e kohës së tyre. Në fushën e poezisë, ai botoi vëllimin “Albumi” (1948), si dhe përktheu me mjeshtëri poetë të shquar europianë dhe amerikanë, duke sjellë në shqip finesën dhe ritmin e origjinaleve.
Stili i Fan Nolit mbetet një nga kulmet e shqipes letrare. Bashkë me Faik Konicën, ai konsiderohet një nga stilistët më të mëdhenj të dialektit tosk. Aftësia e tij për të zotëruar gjuhët e huaja—greqishten, anglishten dhe frëngjishten—e ndihmoi ta pasuronte shqipen me një elegancë të rrallë dhe një strukturë të sofistikuar. Përkthimet e tij sollën në letërsinë shqiptare emra të mëdhenj të shekullit XIX, duke dëshmuar një ndjeshmëri të lartë për ruajtjen e stilit dhe muzikës së vargut origjinal.
Pavarësisht se nuk shkroi shumë vepra letrare origjinale, Fan Noli mbetet një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Përmes përkthimeve, studimeve historike, kontributit diplomatik dhe veprimtarisë fetare, ai la një trashëgimi që vijon të frymëzojë brezat e sotëm.
Në vitin 1953, në moshën 71-vjeçare, Fan Noli u vendos në Fort Lauderdale, Florida, ku edhe ndërroi jetë më 13 mars 1965. Ai u preh në Forrest Hill Cemetery në Boston, pasi ka lënë pas një trashëgimi të pavdekshme.
Kisha Autoqefale Shqiptare, të cilën ai e themeloi me aq përkushtim, vazhdon të mbetet një institucion kyç për komunitetin shqiptar në Amerikë, duke dëshmuar se vepra e Fan Nolit jeton përtej kohës dhe kufijve.