Martin Camaj është një nga figurat më të shquara të letërsisë shqipe postmoderne, një studiues i thelluar i gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe një nga albanologët më të rëndësishëm të shekullit XX. I lindur më 21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit, Camaj e kaloi gjithë jetën në emigrim, duke u përpjekur të mbrojë dhe të zhvillojë trashëgiminë e tij kulturore larg atdheut.
Arratisja e tij nga Shqipëria në vitin 1948, për t’i shpëtuar regjimit komunist, e çoi fillimisht në Beograd, më pas në Romë dhe, së fundmi, në Mynih, ku ai drejtoi Katedrën e Albanologjisë. Përkundër mundësisë për të udhëtuar në shumë vende, atdheu mbeti pika e vetme e ndaluar për të – madje edhe pas vdekjes.
I edukuar nga jezuitët, Camaj u formësua intelektualisht dhe kulturorisht në traditën e dijetarëve të mëdhenj të letërsisë shqipe. Ai vijoi linjën e autorëve të shquar gegë, duke u konsideruar si pasardhësi më i denjë i traditës së Budit, Mjedës dhe Koliqit.
Krijimtaria e tij poetike dhe prozaike përfshin një sërë veprash themelore për letërsinë shqipe moderne. Nga vëllimi i parë poetik “Një fyell ndër male” (Prishtinë, 1953) te botimet në revistën “Shêjzat” (1957-1975), dhe më tej me veprat si “Legjenda” (Romë, 1964), “Lirika mes dy moteve” (Mynih, 1967), “Njeriu me vete e me të tjerë” (Mynih, 1978), si dhe romanet “Djella” (1964), “Dranja” (1981), “Shkundullima” (1981), “Rrathë” (1981) dhe “Karpa” (1987). Gjithashtu, Camaj është autor i antologjisë “Këngë shqiptare” (Düsseldorf, 1974), një përmbledhje e pasur e poezisë shqipe.
Në fushën e albanologjisë, ai dha kontribute të rëndësishme, duke studiuar strukturën, historinë dhe dialektet e shqipes. Ndër punimet e tij më të spikatura janë: “Meshari i Gjon Buzukut” (Romë, 1960), “Tekst mësimor i gjuhës shqipe” (Wiesbaden, 1969), “E folmja shqipe në provincën e Avelinos” (Firence, 1971) dhe veprën madhore “Gramatika shqipe” (Wiesbaden, 1984).
Martin Camaj u nda nga jeta më 12 mars 1992 në Lenggries të Bavarisë. Në fjalët e tij të fundit, ai iu drejtua shqiptarëve me një mesazh të thellë ndjenje dhe përkatësie:
“Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë… gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Bâtë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.”
Studiuesi më i njohur i veprës së Camajt është Hans-Joachim Lanksch, i cili ka hulumtuar gjerësisht jetën dhe kontributin e tij në letërsinë dhe gjuhësinë shqipe.