Mësuese Albana Hasku është një figurë e njohur dhe e respektuar në komunitetin shqiptar në Bari, Itali, e cila ka pasur një ndikim të madh në mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e kulturës shqiptare mes fëmijëve të emigrantëve. Rrugëtimi i saj si mësuese në diasporë është një histori frymëzuese, e cila është shoqëruar me shumë sfida, por edhe me suksese që ngrenë lart vlerat e gjuhës dhe kulturës së kombit shqiptar.
Si shumë emigrantë të tjerë ajo ka përjetuar dhimbjen e emigrimit, ku ka lënë pas familjen, punën dhe jetën e saj të mëparshme në Shqipëri.
“Emigrimi është i dhimbshëm, largohesh nga vendi yt, duke lënë pas gjithçka,” thotë ajo, duke përshkruar vështirësitë që shoqërojnë çdo kalim në një realitet të ri. Megjithatë, ajo nuk ka lejuar që këto pengesa të shuhen pasionin dhe përkushtimin e saj për mësimdhënien. Në fakt, ajo e sheh profesionin e mësuesit si një mundësi për t’u dhënë nxënësve mundësinë për të ruajtur dhe kultivuar gjuhën e tyre amtare, një thesar të çmuar që ajo nuk do ta lërë të shuhet.
Angazhimi i Mësueses Albana në mësimdhënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Bari ka filluar që në vitet e para të emigrimit të saj gati tre dekada më parë. Puna e saj nisi si një detyrë për t’u mësuar fëmijëve të saj gjuhën shqipe me një abetare të thjeshtë, por me kalimin e kohës, ky angazhim u shndërrua në një mision më të gjerë. Ajo ishte një nga iniciatorët e krijimit të shkollës shqipe në Bari, një hap që i dha mundësinë shumë fëmijëve shqiptarë të ruajnë lidhjet e tyre me kulturën dhe gjuhën e prindërve. “Gjuha shqipe është thesari më i çmuar i kombit tonë, dhe ruajtja e saj tek brezat e rinj është e domosdoshme,” shton ajo, duke theksuar rëndësinë e kësaj nisme.
Në shkollën e saj, Mësuesja Albana dhe kolegët e saj janë të angazhuar në përgatitjen e një mësimi që përfshin jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe kulturën, historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë. Procesi mësimor zhvillohet një herë në javë, ku nxënësit ndjekin një program të pasur që përfshin librin “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”, një paketë didaktike që është përdorur në shkollat shqipe të diasporës që nga viti 2022.
“Ky libër është një ndihmë e madhe për mësuesit, por gjithashtu për nxënësit, pasi ata mund të mësojnë gramatikë, poezi dhe ushtrime gjuhësore që janë të përshtatshme për mësimdhënien bashkëkohore,” tregon ajo.
Një nga çelësat e suksesit të shkollës shqipe “Le Aquile di Seta” është përfshirja e prindërve në procesin mësimor. Mësuesja Albana thekson se roli i prindërve është i rëndësishëm për të siguruar që fëmijët të mbajnë gjallë lidhjen me gjuhën dhe kulturën e tyre.
“Prindërit janë ata që ushqejnë dashurinë për gjuhën shqipe dhe atdhedashurinë, dhe për këtë arsye, janë partnerët tanë më të rëndësishëm,” thotë ajo, duke nënvizuar se angazhimi i prindërve është thelbësor për ruajtjen e identitetit kulturor të fëmijëve.
Një nga momentet më emocionuese për Mësuesen Albana ka qenë kur nxënësit e saj janë shfaqur në skenë për të interpretuar pjesën teatrale “Rozafati” të Mitrush Kuteli. “Kur sheh nxënësit që flasin dhe interpretojnë me pasion gjuhën shqipe, ndjen një kënaqësi të madhe, pasi është fryti i punës së vazhdueshme,” tregon ajo.
Krijimi i projekteve të tilla si “Shqip TV Bari”, ku nxënësit luajnë rolin e gazetarëve, është një tjetër mënyrë për t’i angazhuar ata në ruajtjen e traditave dhe zhvillimin e aftësive të reja.
Edhe pse puna e saj ka sjellë rezultate pozitive Albana pranon se sfidat mbeten të mëdha. Një ndër pengesat më të mëdha është numri i ulët i nxënësve, për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit të disa familjeve për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe.
“Një nga sfidat kryesore është rritja e numrit të nxënësve dhe edukimi i prindërve për nevojën e mësimit të gjuhës shqipe,” shprehet ajo.
Po ajo ka edhe një apel për institucionet shqiptare, si brenda dhe jashtë vendit, për të ofruar më shumë mbështetje për shkollat shqipe në diasporë.
“Ne punojmë vullnetarisht, por kërkojmë më shumë vëmendje dhe mbështetje për të mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të këtyre shkollave,” thekson ajo.
E në fund ajo ka një mesazh për mësuesit shqiptarë kudo ku ndodhen:
“Nuk ka më bukur se t’u mësosh fëmijëve gjuhën e Mëmës, por do ishte më bukur tua lëmë atyre, të pasur, të pastër, pa fjalë të huaja, si kristal.”
Mësuese Albana është një prej qindra mësuesve shqiptarë në Diasporë, shembull i shkëlqyer i përkushtimit për të ruajtur identitetin kulturor dhe gjuhësor të kombit shqiptar, duke kaluar përmes sfidave dhe duke krijuar mundësi të reja për brezat e rinj.




