Gjatë këtij muaji, në Luksemburg do të vihet në skenë shfaqja me marioneta “Një telefon te koteci i pulave”, një projekt i financuar nga Ministria e Kulturës së Luksemburgut. Më shumë se një përrallë për fëmijë, kjo shfaqje trajton një temë aktuale, duke sjellë në vëmendje ndikimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale jo vetëm tek të vegjlit, por edhe tek të rriturit.
Autorja e veprës, Marsela Bashari, në një intervistë televizive, ndau detaje mbi përgatitjet dhe sfidat e këtij projekti artistik. Ajo tregoi se ideja për ta sjellë librin në skenë nisi pas një takimi rastësor me regjisoren Rudina Gruda, në një event ku ishte e pranishme edhe Presidentja e Kosovës.
“Një miku ynë i përbashkët i dha Rudinës librin tim. Unë i ndava me të idenë që kisha për përshtatjen teatrale dhe ajo e realizoi në mënyrë të shkëlqyer,” tha Bashari.
Suksesi i këtij projekti nuk do të kufizohet vetëm në Luksemburg, pasi organizatorët kanë në plan ta sjellin shfaqjen edhe në vende të tjera. “Arti nuk ka kufij, ndaj duam që kjo shfaqje të prekë sa më shumë fëmijë nëpër botë. Është një përgjegjësi e madhe, jo vetëm nga ana teknike, por edhe për institucionin që na ka besuar këtë projekt,” shtoi autorja.
Një nga sfidat kryesore ka qenë përkthimi i tekstit në frëngjisht, duke qenë se shfaqja do të prezantohet për një audiencë ndërkombëtare. “Ka qenë një proces i ndërlikuar, por ia kemi dalë. Buzëqeshja, duartrokitjet dhe përqafimet e fëmijëve janë shpërblimi më i madh për punën tonë,” përfundoi Bashari.
Shfaqja do të vihet në skenë në datë 29 mars 2025 ora 11:00
HYRJA PËR TË RRITUR: €10
FËMIJË (2-17): €5
FOSHNJA: FALASë
Adresa: ALTRIMENTI 5 AV. MARIE-THERESE L-2132, LUXEMBURG
WWW.ALTRIMENTI.LU



