Anëtaret e Klubit Book Lovers, (një grup pasionant i intelektualeve shqiptare të librave në Britaninë e Madhe), janë një shembull i fuqisë transformuese të kulturës dhe leximit. Duke udhëtuar nga Londra për të arritur në Dublinin e Irlandës, ky grup, që gjithmonë mban një libër në çantë, është shndërruar në ambasadorët e gjuhës dhe kulturës shqipe, duke promovuar vlerat e letërsisë shqiptare dhe botës së gjerë përmes takimeve dhe diskutimeve letrare. Udhëtimi i tyre në Irlandë, shënoi një ngjarje të paharrueshme për komunitetin letrar shqiptar.
Pas vizitës së suksesshme në Lake District, ku mësuan për shkrimtaren Beatrix Potter dhe ndihmën e saj në ndryshimin e dinamikave të autorësisë femërore, grupi kaloi në Dublinin e artit dhe kulturës irlandeze. Gjatë kësaj vizite, krijuan një tryezë të veçantë letrare në muzeun EPIC (Every Person Is Connected), një vend që ka si qëllim të lidhë jetët e individëve me emigracionin dhe historitë personale. Ky muze, i njohur për lidhjen e njerëzve përmes përvojave të migracionit, u bë një hapësirë ideale për diskutimet dhe shpërndarjen e librave të autorëve shqiptarë dhe të huaj.
Në këtë tryezë letrare, anëtarët e Klubit Book Lovers promovuan disa tituj që përshkojnë tema nga inteligjenca sociale deri te tema të ndryshme të identitetit dhe realitetit shqiptar. Disa nga librat që u diskutuan ishin:
- “Inteligjenca Sociale” nga Daniel Goldman, një vepër që trajton rëndësinë e aftësive ndërpersonale në zhvillimin personal dhe shoqëror.
- “Lutjet e Këmbanës” nga Dritëro Agolli, një pasqyrë e fuqishme e pasionit dhe ndjenjës kombëtare.
- “Endrrat e Thyera” nga Erion Selmani, një libër që reflekton për sfidat dhe përpjekjet e individëve në kohë të vështira.
- “Valsi i Petaleve” nga Nexhmije Hasani, që sjell një histori të bukur dhe poetike të jetës dhe dashurisë.
- “Arie t’Krisuna” nga Desantila Qerimaj, një libër që shqyrton tema të rëndësishme sociale dhe emocionale.
- “Dy Bredharakë në Shqipëri” nga Jan & Cora J. Gordon, që ofron një pasqyrë interesante të natyrës dhe kulturës shqiptare.
- “Navigating Autism” nga Esmeralda Capja & Nicholas Flook, një përpjekje për të hapur një diskutim më të gjerë mbi autizmin dhe jetën me këtë gjendje.
Një tjetër përvojë interesante e këtij udhëtimi ishte eksperienca e kaluar në një pab historik, janë të pozicionuar në qendër dhe me histori interesante siç është O’Neills, i cili ka një histori më shumë se 300 vjeçare. Ky lokal i famshëm i Dublinit, me fasadën e tij tradicionale dhe atmosferën e ngrohtë irlandeze, është një vend ku mikpritja dhe traditat muzikore janë të pashkëputura. Festat dhe koncertet e së dielës janë një atraksion i rëndësishëm për të gjithë ata që kërkojnë të shijojnë natën irlandeze.
Moment i rëndësishëm i vizitës ishte Trinity College Dublin, ku librat dhe historia e letërsisë irlandeze bashkoheshin në një mënyrë të mrekullueshme. Vizita në Kells & Old Library, një nga bibliotekat më të vjetra dhe më të bukura në botë, ishte një përvojë që do të mbetet në kujtimet e të gjithë pjesëmarrësve. Këtu, në një ndërtesë që daton që nga viti 1592, ata mundën të ndiheshin si pjesë e një historie të madhe kulturore dhe intelektuale, ndërkohë që shijonin një drekë studentore në një mjedis të mbushur me portrete të modeleve intelektuale të kaluarës.
Pjesëmarrësit e Klubit Book Lovers gjithashtu mund të shijonin një përvojë të thellë kulturore dhe gastronomike në bar/restorant tradicional irlandez, Murray’s, i cili i ofroi atyre një mundësi për të shijuar një ushqim të shkëlqyer irlandez në një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse. Ndërsa kërcimi tradicional irlandez, i njohur si Hornpipe, dhe muzika popullore irlandeze e shoqëruan darkën, ky ishte një moment që përforcoi lidhjet kulturore dhe miqësore mes shqiptarëve dhe irlandezëve.
Në këtë udhëtim, grupi i Klubit Book Lovers përjetoi Dublinin jo vetëm si një qytet të pasur me histori dhe kulturë, por si një hapësirë ku emigrantët mund të lidhin jetët e tyre me vendet që vizitojnë dhe ku mund të ndajnë kulturën dhe librat që flasin për shpirtin e tyre të pasur.
Ky ishte një udhëtim kulturor që jo vetëm u thellua në lidhjen e shqiptarëve me letërsinë dhe historinë botërore, por gjithashtu solli një ndjenjë të fortë bashkësie dhe krenarie për trashëgiminë kulturore shqiptare. Kjo është rruga e Klubit Book Lovers: një udhëtim i pasionuar për librat, për njohjen dhe shpërndarjen e kulturës shqiptare në botë.