Dy ditë përpara mbylljes se procesit të regjistrimit në PER të votuesve nga jashtë vendit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u ka bërë thirrje votuesve shqiptarë në Itali që të ndjekin me kujdes udhëzimet për aplikimin në Platformën e Regjistrimit të Votuesve nga Jashtë (PER).
Në njoftimin zyrtar, KQZ thekson se ata që aplikojnë për herë të parë ose që u është refuzuar kërkesa, duhet të sigurohen që të ngarkojnë anën e saktë të Carta d’Identità gjatë aplikimit.
“Shumica kanë ngarkuar dokumentin e identitetit të lëshuar nga shteti italian, por nga ana e gabuar nga faqja që nuk përmban adresën. Duhet të ngarkojnë në PER faqen e dokumentit të lëshuar që përmban adresën”, tha Celibashi.
“Kemi bërë një shembull në lidhje me atë se si dhe në çfarë mënyre. Nuk është kjo faqja që duhet të ngarkohet (faqja ballore), por faqja tjetër që përmban adresën. Janë mbi 90% të shkaqeve të refuzimit për këtë arsye”, shtoi Celibashi.
Gjithashtu, KQZ njofton se për të marrë asistencë lidhur me procesin e regjistrimit, votuesit mund të rezervojnë një telefonatë përmes faqes zyrtare: www.kqz.gov.al/rezervo2.
Afati i fundit për aplikim dhe riaplikim në PER është 4 mars 2025. KQZ u bën thirrje shqiptarëve që të shpërndajnë këtë informacion për të njoftuar familjarët dhe miqtë jashtë vendit, duke siguruar pjesëmarrje sa më të gjerë në procesin zgjedhor.