Shkolla “Ardhmëria” në Westminster ka realizuar një projekt të veçantë dhe emocionues, “Rrënjët në Kosovë”, i cili përfshiu të gjitha grupmoshat dhe e lidhi përvojën e nxënësve me historinë dhe kulturën e Kosovës. Ky projekt u zhvillua gjatë tre të shtunave të muajit shkurt, duke ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për të njohur traditat dhe historitë personale të individëve që kanë lidhje të ngushta me këtë vend.
Pjesa më e madhe e projektit u realizua falë angazhimit dhe pasionit të disa individëve të veçantë. Ideatorja dhe referuesja e projektit ishte mësuesja Anila Kadija, e cila udhëhoqi dhe udhëzoi të gjithë pjesëmarrësit. Ajo ishte e mbështetur nga mësuesja Vlora Vojvoda, e cila ndau me nxënësit histori personale dhe interesante nga vendlindja e saj, qyteti i Vushtrrisë. Po ashtu, prindërit ishin një pjesë kyçe e realizimit të këtij projekti, me Alije Krasniqin që dha kontributin e saj si referuese dhe ndihmës mësuese, duke ndarë kujtime të paharrueshme nga fshatin e saj të lindjes. Ndihmesën e tyre e dhanë edhe mësuese të tjerë, si Valbona Duka, si dhe prindërit Taulanda dhe Anila.
Mikeshë nderi për këtë projekt ishte znj. Alda Capja, një nga mësueset e para të Shkollës Shqipe Ardhmëria, e cila ka kontribuar në krijimin e traditës mësimore dhe kulturor të shkollës.
Gjatë tre seancave të mbajtura, nxënësit morën një pasqyrë të thellë të kulturës dhe historisë shqiptare përmes tregimeve dhe aktiviteteve praktike që u realizuan.
Në të shtunën e parë, më 1 shkurt 2025, mësuese Vlora Vojvoda ndau historitë e qytetit të Vushtrrisë dhe të fshatit Stonac, ku ajo ka rrënjët e familjes. Ajo foli për bukuritë natyrore të kësaj zone dhe rëndësinë e kullës së Azem dhe Shote Galicës. Ndërkohë, ajo solli edhe një ekspozitë të punimeve artistike me dorë, qëndisje dhe qepje tradicionale të kryera nga nëna e saj. Me djalin e saj, Edin, nxënës në shkollën Ardhmëria, mësuesja Vlora ndau kujtime të bukura nga vizitat e saj të rregullta në Kosovë.
Në të shtunën e dytë, më 8 shkurt 2025, Alije Krasniqi na tregoi histori emocionuese nga fshatin Smallushe, ku ajo ka lindur dhe është shkolluar. Ajo ndau me ne shumë foto dhe kujtime për shkollën e saj, “Ibrahim Krasniqi”, dhe për mësuesin e saj Murat Krasniqi, i cili e shoqëroi gjatë gjithë rrugëtimit të saj edukativ. Përshkroi momentet dramatike të periudhës së luftës, kur fshati i saj u rrafshua nga forcat serbe, dhe sot ka rinisur jetën me shtëpitë e reja. Gjithashtu, Alije na dha një përvojë të paharrueshme të gatimit tradicional kosovar, duke na treguar se si familia e saj e përgatit FLIN me enë të vjetra dhe dru, një traditë që ka kaluar brez pas brezi.
Në të shtunën e tretë, më 15 shkurt 2025, mësuese Anila Kadija organizoi një konkurs me tema të lidhura me Kosovën. Nxënësit u angazhuan në krijimin e vizatimeve, poezi dhe punimesh letrare që kishin Kosovën si temë, duke i dhënë projektit një dimension kreativ dhe edukativ. Nxënësit përgatitën gjithashtu punime për konkursin ndërkombëtar të shkollës shqipe në Kroaci, duke forcuar më tej lidhjen e tyre me atdhenë dhe kultivimin e identitetit të tyre kombëtar.
Një nga momentet më të veçanta të projektit ishte vizita e drejtoreshës së Qendrës “BoArt” nga Tirana, Melisa, dhe nxënësve të kësaj qendre. Ata shkëmbyen përvoja dhe eksperienca shkollore me nxënësit e Ardhmëria, duke ofruar një mundësi për të mësuar dhe shpërndarë idetë kreative dhe arritjet kulturore të shkollave shqipe jashtë atdheut.
Projekti “Rrënjët në Kosovë” është bërë një album i madh kulturor, ku çdo mësues, prind dhe nxënës ka kontribuar me pasion dhe energji. Ky ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të reflektuar mbi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe historisë, duke i lidhur ato me jetën e përditshme të komunitetit shqiptar në Londër.
Për Shkollën Shoqata Ardhmëria, ky projekt është një hap i rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare, dhe padyshim që do të vazhdojë të jetë një traditë e rëndësishme çdo vit në shkollën e saj.