Komuniteti Shqiptar i Selanikut organizoi pak ditë më parë ceremoninë tradicionale të ndarjes së Pites, në një atmosferë festive në sallën e Theatro Cafe të Teatrit Mbretëror të Selanikut.
Në këtë event morën pjesë qytetarë shqiptarë dhe grekë, si dhe personalitete të njohura nga fusha të ndryshme. Mes të ftuarve të veçantë ishin deputeti i Parlamentit grek, z. Stratos Simopoulos, përfaqësuesi i Mitropolitit të Selanikut, Hirësisë së tij Filotheo, At Artem Cici, ish-Kryetari i Bashkisë Neapolit, z. Grigoris Hatxhisavvas, ish-nënkryetarët z. Nikos Papazidhis dhe z. Nikos Iordanidhis, kundëradmirali në pension z. Vangjelis Koutrolikos, si dhe gazetari i njohur Panteli Savvidhi.
Mesazhet e mbështetjes për komunitetin shqiptar
Kryetari i Komunitetit Shqiptar të Selanikut, Dr. Luan Zyka, hapi mbrëmjen duke mirëpritur të pranishmit dhe duke premtuar se takimi i ardhshëm për festimin e 5-vjetorit të themelimit të KSHS do të mbahet në hapësira më të mëdha për të akomoduar qindra anëtarët aktivë të komunitetit.
Në fjalën e tij, Dr. Zyka falënderoi popullin dhe shtetin grek për mundësinë e integrimit të mijëra shqiptarëve në Selanik, duke theksuar kontributin e tyre si punëtorë të ndershëm dhe arsimdashës. Ai nënvizoi se Komuniteti Shqiptar i Selanikut, tashmë i konsoliduar, do të luajë një rol më aktiv në mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve dhe në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Deputeti grek Stratos Simopoulos vlerësoi komunitetin shqiptar dhe theksoi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit për të adresuar sfidat që prekin emigrantët. Në të njëjtën linjë, ish-Kryebashkiaku Grigoris Hatxhisavvas u shpreh se shqiptarët dhe grekët bashkëjetojnë në harmoni dhe se duhet të vazhdojnë të forcojnë marrëdhëniet mes tyre.
Gazetari i njohur Panteli Savvidhi ndau kujtimet e tij nga vizita e parë në Shqipëri në vitin 1991, duke cituar fjalët e guvernatorit të parë të Greqisë në vitin 1828: “Duhet ta kuptoni mirë kombin shqiptar, dhe kur t’i kemi më afër nesh, atëherë do të shikoni se çfarë vlerash kanë ata njerëz.”
Përfaqësuesi i Mitropolitit të Selanikut, At Artem Cici, përcolli mesazhin e bekimit për komunitetin shqiptar dhe kreu ritet përkatëse.
Muzikë, valle dhe një traditë që vazhdon
Tradita e ndarjes së Pites solli emocion tek të pranishmit, ndërsa fati i ra Komunitetit Shqiptar të Selanikut dhe znj. R. R.
Mbrëmja festive u mbyll me një koncert të pasur me muzikë dhe valle shqiptare e greke, interpretuar nga kitaristi dhe këngëtari i njohur i Selanikut, Albert Ahmati.
Ky event konfirmoi edhe një herë rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe forcimit të lidhjeve mes komunitetit shqiptar dhe shoqërisë greke, duke shënuar një fillim të mbarë për vitin 2025.