Viti 2025 shënon një moment historik për diasporën shqiptare. Për herë të parë, shqiptarët që jetojnë jashtë do të kenë mundësinë të votojnë nga vendet ku punojnë dhe jetojnë, duke shprehur vullnetin e tyre për qeverisjen e vendit. Ky ndryshim rrënjësor jo vetëm që forcon lidhjet e diasporës me Shqipërinë, por gjithashtu krijon hapësira të reja për angazhimin politik të shqiptarëve të integruar në shoqëritë pritëse, të cilët tashmë duan të sjellin përvojën, njohuritë dhe vlerat e tyre në politikën shqiptare.
Një nga figurat që po synon të sjellë këtë ndryshim është Daniel Nikolla, aktivist dhe profesionist i suksesshëm në Britaninë e Madhe, i cili kandidon në primaret e Partisë Demokratike për të siguruar një vend në garën për deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Me një karrierë të pasur në marketing dhe sipërmarrje, si dhe një histori të gjatë angazhimi politik në diasporë, ai synon të përfaqësojë një brez të ri politikanësh me vizion të qartë për zhvillimin e vendit.
Në këtë intervistë për Diaspora Shqiptare, Daniel Nikolla ndan rrugëtimin e tij, motivimin për t’u përfshirë në politikën shqiptare dhe synimet për një Shqipëri më të hapur ndaj diasporës dhe zhvillimit ekonomik.
Si dhe fton të gjithë bashkëkombësit që ta votojnë, si një alternativë të denjë, në mos për të bërë ndryshimin, së paku për të iniciuar fillimin e tij kaq të nevojshëm për shoqërinë shqiptare.
Daniel sot ju rikthehni për tu angazhuar plotwsisht në shërbimin qytetar, ose politikë thënë ndryshe. Por fillimish doja të të pyesja si e përjetove largimin nga Shqipëria në vitin 2013 dhe çfarë të motivoi të mbetesh aktiv në çështjet politike të vendit, pavarësisht distancës?
Nuk e mendoja kurrë që të largohesha nga Shqipëria deri në vitin 2013 kur lëviza për në Britani të Madhe, që të vazhdoja karrierën 11 vjeçare të futbollit. Që në shkollën fillore isha pjesë e ekipeve të moshave të Partizanit dhe Dinamos, por me një ndjenë të fortë për KF Tiranën.
Lash pas familjen, vëllain më të vogël, rininë time, lagjen, shoqërinë dhe çdo gjë që më kanë munguar gjithnjë. Sa më shumë kohë që kam kaluar larg Shqipërisë, aq më shumë më është shtuar malli dhe dëshira për të parë Shqipërinë, aty ku e meriton.
Ti ke një histori të gjatë lidhjeje me Partinë Demokratike që në fëmijëri. Çfarë ndikimi ka pasur kjo lidhje në formimin tënd politik?
Partia Demokratike është pjesë e pandarë e imja që në fëmijëri. Gjyshi im Kujtim Cena, ka qenë një aktivist si rrallë prej tyre për demokracinë dhe Prof. Dr. Sali Berishën. Ka bërë sakrifica të mëdha, ai dhe familja e tij, që nga biografia e keqe e deri tek aktivizimi me dedikim të veçantë për PD-në. Që nga themelimi i PD-së dhe mbrojtja e saj dhe tanqet e fundviteve ‘90e deri në vitet e vështira pas 2013.
Babai im Mitro Nikolla ka qenë anëtar i hershëm i PD-së, që prej themelimit të saj. I ka shërbyer pa kursim shtetit Shqiptar, me prirjet e tij të djathta. Ka qenë luftues i përhershëm i korrupsionit dhe aktivist i urtë e intelektual në Njësinë Nr.3 në Tiranë.
Për të dy, angazhimi në PD, ka qenë deri në momentet e fundit edhe me sëmundjet që i shoqëruan në fund të jetës. Parimet dhe vlerat e tyre më kanë përpunuar ndër vite në një demokrat 24 karatsh, që interesat e PD-së nuk i vendos përpara asnjë interesi tjetër politik. Memoria e tyre më ka shtyrë që të rris aktivizmin tim në PD në vitet e fundit, pasi ndërruan jetë në vitet e fundit.
Ke shërbyer si Sekretar i Degës së PD në Britani të Madhe. Si e sheh rolin e diasporës në politikën shqiptare? A mendon se zëri i saj është dëgjuar sa duhet?
Dega e Partisë Demokratike në Britani të Madhe, e drejtuar nga zoti Shkëlzen Rustemaj, mund të them që është ndoshta dega më aktive dhe cilësore e PD-së në diasporë. Aktiviteti ynë ka qenë i zgjeruar, intelektual, në terren, me argumenta dhe punë.
Zëri i diasporës duhet të ketë gjithnjë një vend të veçantë, dhe tashmë që vota e diasporës është ligjëruar edhe pozicioni ynë është kyç në politik-bërje.
Jemi orvatur t’i japim diasporës një model të organizimit politik djathtas, nëpërmjet takimeve të shumta, diskutimeve plot temp dhe ide, përgatitjen e planeve të punës dhe vënien në jetë të tyre.
Falë gjithë kësaj pune, vjen edhe kandidatura ime për primare, si një proces i natyrshëm me fokus përfaqësimin e një komuniteti shumë të madh shqiptarësh në Britani të Madhe, tashmë të lidhur me Partinë Demokratike.
Ke arritur të ndërtosh një karrierë të suksesshme në marketing dhe sipërmarrje. Si ka ndikuar kjo përvojë në vizionin tënd për të kontribuar në Shqipëri?
Dy janë faktorët kyç në këtë drejtim:
Së pari vendosmëria ime për të përmbushur synimet e mia. Dhe se dyti formimi akademik (teori-praktikë), që ofron një prej pedagogjive më të përparuara të botës.
Sipas vizionit tim me vullnet dhe energjitë pozitive, mundem ti implementoj në Kuvendin e Shqipërisë, që siç e dini është në pikën fundore të tij, si pasojë e vënies nën diktatin e kryeministrit në kundërthënie me germën e kushtetutës.
Gjithashtu ke qenë pjesë e disa organizatave prestigjioze në Britani, si Dhoma e Tregtisë dhe Unioni i Studentëve. Çfarë mësimesh ke marrë nga këto eksperienca që mund të jenë të vlefshme për Shqipërinë?
Shkurt dhe thjeshtë, vendosmëri punë dhe konsistencë.
Çfarë të motivoi të kandidosh për Primaret e PD-së në Tiranë? A ishte një vendim i vështirë për t’u rikthyer dhe për t’u përfshirë drejtpërdrejt në politikën shqiptare?
E thashë dhe më lart, dëshira për të sjellë një profil të ri parlamentari. Pothuajse nuk ka qenë e vështirë, jam mësuar të luftoj për synimet e mia, e bëj me kënaqësi dhe nuk mund të jetoj pa këtë lloj aktivizimi.
Ti e cilëson veten si “frymë e re, serioze dhe mik i punës.” Çfarë të diferencon nga kandidatët e tjerë brenda PD-së?
-Vendosmëria
-Dëshira për progresin e vendit tim
-Marrja fund e nëpërkëmbjes së dinjitetit të shqiptarit si brenda dhe jashtë vendit.
Rikthimi i diasporës është një temë e rëndësishme për ju. Si do të punosh për të afruar diasporën me Shqipërinë dhe çfarë hapash konkrete do të ndërmarrësh në këtë drejtim?
Pikërisht ato plane pune që ju fola me sipër. Këto muaj kemi mbledhur nga diaspora kërkesat e tyre, po i përmend shkurtimisht:
-Qarkullim të lirë njerëzish e mallrash, trarët e doganave do çlirohen nga bakshishet kriminale në kurriz të diaspora-sve që vinë e rivijnë disa herë në vit në Shqipëri;
-Rishikimi i marrëveshjeve të padrejta Shqipëri-Uk për emigrantët
-Një qasje institucionale për kthimin e trurit
-Shkollim për fëmijët shqiptarë në UK
-Asistim për të gjitha çështjet legale, regjistrimin e fëmijëve, rikonfirmimin e përkatësisë nacionale të humbur për efekt pragmatik letrash, etj
Si e sheh të ardhmen e Tiranës dhe çfarë mund të bëhet ndryshe për ta bërë një qytet më të jetueshëm?
Së pari Tirana duhet t’i përkasë të gjithë qytetarëve, sepse është kryeqytet. Në vijim familjet tradicionale, pronat e tyre, banesat karakteristike do u sigurohet një status i përputhshëm me të ngjashmet nëpër Evropë. Sheshet do të konfigurohen sipas një proporcionaliteti kombëtar, sa i takon ngritjes së monumenteve, shtatoreve etj.
Muzeu i Tiranës duhet ngritur dhe për këtë, detyra e deputetit është të ndërmarrë iniciativa ligjore dhe të negociojë me faktorët lokale, gjë që do ta bëj me pasion e përkushtim.
Shqipëria përballet me sfida të mëdha në mbajtjen e të rinjve në vend. Çfarë politikash do të sugjeroje për të ndaluar largimin e trurit?
Vetëm rikthimi i tyre sjell energji dhe dituritë e nevojshme për zhvillim. Bashkimi i energjive me diturinë sjell atë që quhet progres i një shoqërie.
Përmend “Brain Gain” si një program kyç të PD-së. Si mendon se mund të bëhet më efektiv kthimi i profesionistëve shqiptarë nga diaspora?
Partia Demokratike e Shqipërisë është e vetmja forcë politike që ka një strukturë administrative që quhet ‘’Departamenti i Brain Gain’’, ku unë jam anëtar themelues i saj. Kjo strukturë përbëhet nga të rinj më së shumti nga diaspora që punojmë në projekte të ndryshme në PD. Një nga të shumtit cilësorë është, Libri i Punëve të Mira, i cili identifikon të gjitha arritjet e Shqipërisë nën qeverisjen e PD-së. (link:https://pd.al/libri-i-puneve-te-mira-te-partise-demokratike/).
Gjithashtu programi për diasporën dhe ekonominë të PD-së janë programe ambicioz që synojnë të ndryshojnë Shqipërinë që në 100 ditët e para! Programet mund të gjehen të publikuara në internet, por disa nga pikat janë rivendosja e taksës së sheshtë 10%, taksa 0 për 5 vitet e para për çdo emigrant që kthehet të investojë në Shqipëri, subvencione në sektorët me interes kombëtar, etj.
Për të theksuar edhe një herë se sa shumë partia jonë kërkon që të kthej diasporën dhe trurin, mund t’ju them që si pjesë e departamentit të Brain Gain, kemi qenë pjesë integrale e hartuesve të programit për zgjedhjet 2025.
Nëse do të kishe vetëm një fjali për të bindur dikë të votojë për ty , cila do të ishte ajo?
PD-së i kërkohet frymë e re, fytyra karizmatike, inovacion, intelektualizëm dhe një përqasje e re në politik-bërje.
Unë jam ai që i plotëson të gjitha këto kushte dhe marr vota të djathta, elektoratit gri dhe të tjera.