Me një angazhim të gjatë në politikë dhe në mbështetje të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Fatmir Gjoci ka pranuar kandidaturën e tij si deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, si një përfaqësues i diasporës në listat e hapura të qarkut të Tiranës. Kjo kandidaturë është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Demokratëve Euroatlantik, një forcë politike që synon ndryshimin dhe integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike.
Një rrugëtim i gjatë në politikë dhe angazhimi në diasporë
GjoCi, i cili vjen nga një familje tradicionale nga Lura e Dibrës, ka qenë aktiv në politikë prej vitit 2006, kur nisi si sekretar organizativ i Demokratëve Euroatlantik në degën e Athinës. Që nga viti 2013, ai ka mbajtur postin e kryetarit të kësaj dege, duke u bërë një zë i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në emigracion.
Me një edukim të lartë në ekonomi dhe menaxhim biznesi, si dhe një MBA në International Business nga Metropolitan College në Athinë, Gjoçi ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në sektorin privat, duke themeluar kompaninë e ndërtimit “Miros Constructions”.
Përveç kontributit të tij në politikë, ai është angazhuar aktivisht në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të komunitetit shqiptar në emigracion, duke përballuar dhe denoncuar sfidat me të cilat janë përballur bashkatdhetarët e tij ndër vite.
Diaspora, një forcë e re në politikën shqiptare
Zgjedhjet e 11 majit shënojnë një moment historik për emigrantët shqiptarë, të cilët për herë të parë do të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votës dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në fatin politik të Shqipërisë.
“Diaspora ka qenë gjithmonë një forcë e madhe për Shqipërinë, por tani është koha të jetë edhe një forcë politike që sjell ndryshimin. Ne kemi për detyrë të ndëshkojmë klasën e vjetër politike dhe të ndërtojmë një Shqipëri të zhvilluar, me mirëqenie dhe vizion të qartë për të ardhmen,” – shprehet Gjoci.
Ai ka deklaruar se fushata e tij do të fokusohet kryesisht në zonat e Kamzës, Paskuqanit, Institutit Bujqësor, Laprakës dhe më gjerë në qarkun e Tiranës, ku synon të jetë një zë i fuqishëm në Kuvend për problematikat dhe interesat e qytetarëve shqiptarë.
“Shqipëria meriton më shumë!”
Në fund të deklaratës së tij, Gjoçi shpreh mirënjohje për Lulzim Bashën, për mbështetjen e strukturave organizative dhe për besimin e dhënë nga Këshilli Kombëtar i Demokratëve Euroatlantik. Një falënderim të veçantë ai ia dedikon familjes së tij, e cila e ka mbështetur në rrugëtimin e tij politik, duke e konsideruar Partinë Demokratike si një shtëpi të dytë.
“Unë nuk do t’ju zhgënjej! Do të jem gjithmonë i përqendruar dhe i përkushtuar në mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të vendit tim. Shqipëria meriton më shumë!” – përfundon ai.