Bashkimi Evropian po tregohet i rezervuar ndaj protestave masive të studentëve dhe qytetarëve në Serbi, të cilët kërkojnë një shtet ligjor dhe kundërshtojnë dhunën. Kështu deklaron filozofi dhe akademiku slloven Slavoj Zhizhek, i cili në një analizë për portalin ndërkombëtar Project Syndicate kritikon qëndrimin e Brukselit për mungesën e mbështetjes ndaj protestuesve.
Sipas Zhizhekut, qytetarët serbë po kërkojnë një shtet ligjor të vërtetë, pa rregulla të pashkruara që mundësojnë korrupsionin dhe autoritarizmin. Ai e cilëson këtë lëvizje protestash si unike, pasi, ndryshe nga demonstratat e tjera në rajon, nuk ka kërkesa të qarta politike apo liderë të shpallur.
“Protestuesit duan të prishin sistemin që ka lejuar partinë në pushtet të mbajë peng shtetin përmes ndikimit mbi institucionet,” shprehet filozofi slloven. Ai thekson se studentët dhe qytetarët kanë refuzuar dialogun me pushtetin dhe distancohen nga dhuna, duke shfaqur një formë të re aktivizmi politik.
Sipas tij, kjo lëvizje aktualisht nuk kërkon të hyjë në sistemin politik të organizuar, por krijon kushtet për një politikë të re dhe të pastruar nga korrupsioni, e cila nuk do të jetë thjesht një version tjetër i politikës ekzistuese.
Zhizhek është kritik ndaj heshtjes së Bashkimit Evropian, të cilën e konsideron një hipokrizi të rrezikshme. Ai argumenton se Brukseli po shmang presionin ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq nga frika se ai mund të orientohet drejt Rusisë.
“Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu mbështetje për protestuesit në Gjeorgji që luftojnë për demokraci, por ka mbetur e heshtur ndaj kryengritjes në Serbi – një vend që është kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012,” vëren Zhizhek.
Sipas tij, Brukseli e toleron Vuçiqin për shkak të premtimeve të tij për stabilitet dhe eksportin e litiumit, një element kyç për industrinë e makinave elektrike. Ai thekson se mungesa e reagimit të BE-së edhe për akuzat mbi mashtrimet zgjedhore ka lënë shoqërinë civile serbe të pambështetur, duke krijuar një hendek të madh midis qytetarëve dhe institucioneve evropiane.
Zhizhek vëren se protestat në Serbi nuk mbajnë flamuj të Bashkimit Evropian, një detaj që, sipas tij, simbolizon humbjen e shpresës së qytetarëve se Perëndimi mund të sjellë ndryshimin.
“Ideja e një revolucioni pro-evropian, si ai i Ukrainës 20 vjet më parë, nuk ka më asnjë bazë. BE-ja ka arritur një fund tjetër politik,” përfundon ai.
Me këtë analizë të fortë, Zhizhek paralajmëron se mënyra se si Bashkimi Evropian i trajton këto protesta mund të ketë pasoja afatgjata jo vetëm për Serbinë, por edhe për besueshmërinë e BE-së në rajon.