Në Northampton, një qytet në Mbretërinë e Bashkuar, The Albanian Cultural Association Northamptonshire është bërë më shumë se një qendër kulturore – është një strehë e sigurt ku shqiptarët jo vetëm ruajnë gjuhën dhe traditat e tyre, por edhe mbështesin njëri-tjetrin në momente të vështira.
E themeluar në vitin 2016 nga Elona Latifi, kjo shoqatë lindi si një përgjigje ndaj izolimit dhe mungesës së një hapësire të ngrohtë për shqiptarët e Northamptonit. Sot, përveç shkollës shqipe dhe aktiviteteve kulturore, shoqata ofron ndihmë konkrete për azilkërkuesit, familjet në vështirësi ekonomike dhe nënat e reja, duke krijuar një rrjet solidariteti që i bën shqiptarët të ndihen si në shtëpi, edhe larg atdheut. Në këtë intervistë, për Diaspora Shqiptare, Elona Latifi ndan me ne rrugëtimin, sfidat dhe vizionin për të ardhmen e këtij institucioni që po forcon identitetin shqiptar në zemër të Anglisë.
Si u krijua The Albanian Cultural Association Northamptonshire?
The Albanian Cultural Association Northamptonshire u krijua në vitin 2016, si një përgjigje ndaj ndjenjës së vetmisë dhe mungesës së një hapësire për shqiptarët në Northampton për të mbështetur njëri-tjetrin. Kjo iniciativë erdhi pas një periudhe të vështirë për mua, ku e ndjeva veten të izoluar dhe të nënvlerësuar. Misioni ynë është ruajtja dhe promovimi i gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare, me qëllim që të forcojmë identitetin tonë në diasporë dhe të ndihmojmë shqiptarët të ndihen si në shtëpi.
Na tregoni më shumë për shkollën shqipe në Northampton. Si është strukturuar dhe çfarë përmban programi mësimor?
Shkolla jonë është e strukturuar në nivele, duke përdorur libra të gjuhës shqipe për diasporën. Librat janë printuar nga mësuesit e shoqatës vullnetarisht, pasi ende nuk kemi gjetur mbështetje për t’i ofruar falas. Programi mësimor është i ndarë sipas niveleve dhe është adaptuar për të përmbushur nevojat e nxënësve, duke u siguruar që ata të kenë akses në burime të nevojshme. Mësuesit tanë, të diplomuar dhe të trajnuar, luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces, duke kontribuar në ruajtjen e gjuhës shqipe te brezat e rinj.
Cilat janë disa nga aktivitetet kulturore më të rëndësishme që keni organizuar deri tani dhe Çfarë ndikimi kanë këto aktivitete në lidhjen mes brezave të rinj dhe traditave shqiptare?
Shoqata ka organizuar aktivitete të ndryshme kulturore, si Dita e Pavarësisë Shqiptare, Albanian Ethnographic Exhibition, dhe aktivitete me ushqim tradicional shqiptar. Këto aktivitete kanë ndihmuar në forcimin e lidhjeve ndërmjet brezave të rinj dhe traditave shqiptare. Reagimet pozitive nga pjesëmarrësit tregojnë se këto ngjarje janë shumë të vlefshme për ndërtimin e një identiteti të fortë dhe për të ndihmuar shqiptarët të ndihen të lidhur me kulturën e tyre.
Si funksionojnë kurset profesionale të certifikuara për nënat dhe çfarë ndikimi kanë pasur ato në jetën e pjesëmarrësve?
Shoqata ka krijuar një hapësirë të ngrohtë dhe mikpritëse për nënat dhe fëmijët, ku ata mund të ndihen të sigurt dhe të mbështetur. Kjo hapësirë ofron mundësi për të ndarë përvojat dhe për të zhvilluar marrëdhënie të reja, duke ndihmuar në reduktimin e stresit dhe vetmisë. Historia të shumta tregojnë se si kjo hapësirë ka ndihmuar në përmirësimin e jetës së shumë familjeve.
A mund të na tregoni më shumë për shërbimet që ofroni për azilkërkuesit dhe për ata që janë në situata të vështira ekonomike?
Ne kemi bërë përpjekje për të ndihmuar azil-kërkuesit duke krijuar lidhjet e duhura për shumë familje, duke u ofruar atyre garanci për të jetuar dhe mbështetje vullnetore ligjore. Kjo mbështetje është thelbësore për integrimin e tyre në shoqëri dhe për t’u siguruar që ata kanë akses në shërbime dhe burime të nevojshme.
Gjithashtu shoqata ofron mbështetje ekonomike përmes projekteve si food bank dhe kuponat ushqimorë, duke ndihmuar ata që janë në nevojë. Këto programe jo vetëm që ofrojnë ndihmë të menjëhershme, por gjithashtu ndihmojnë në krijimin e një ndjenje komuniteti dhe solidariteti mes shqiptarëve.
Çfarë mesazhi do t’i dërgonit komunitetit shqiptar në diasporë dhe çfarë roli mund të luajnë ata në ruajtjen e identitetit tonë kulturor?
Plani ynë afatgjatë është që qendra e komunitetit shqiptar të bëhet institucioni i parë shqiptar në Northampton, duke mbështetur shoqërinë dhe promovuar identitetin kulturor. U bëj thirrje të gjithëve që të kenë frymë bashkëpunimi dhe të japin kontributin e tyre në këtë iniciativë, sepse secili ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në forcimin e komunitetit tonë.