Për dy javë me radhë, një tingull i veçantë kitarë është dëgjuar në pedonalen e Beratit. Buron nga duart e Allison Vonderlande, një instrumentiste 30-vjeçare nga Kanadaja, e cila ka zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e saj më të fundit në udhëtimin artistik.
E lindur dhe rritur në Montreal, Vonderlande nisi rrugëtimin e saj në muzikë që në moshën 6-vjeçare me pianon, ndërsa në moshën 15-vjeçare iu përkushtua kitarës, instrumentit që do të shndërrohej në pasionin dhe mjetin e saj të jetesës. Studimet universitare i thelluan njohuritë muzikore, por përballjet me jetën e çuan në shtigje të tjera.
“Kam punuar në bare dhe restorante të ndryshme, por të ardhurat ishin të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet. Miqtë më sugjeruan të interpretoja në rrugë dhe kështu munda të fitoj katërfishin e pagës që merrja si kameriere,” tregon ajo.
Pasi përfundoi studimet, Vonderlande vendosi të eksplorojë botën përmes muzikës. Prej 15 vitesh, ajo zhvendoset nga një vend në tjetrin, duke performuar në rrugët dhe sheshet kryesore të qyteteve të ndryshme. Berati është ndalesa e saj më e re, një qytet që, siç thotë ajo, “ka një atmosferë unike dhe të ngrohtë, perfekte për të ndarë muzikën me kalimtarët.”
Për kitaristen kanadeze, ky stil jete nuk është vetëm një mënyrë për të fituar të ardhura, por edhe një mënyrë për të krijuar lidhje me kulturat dhe njerëzit anembanë botës. Dhe ndërsa tingujt e kitarës së saj mbushin rrugët e Beratit, ajo vijon të ndjekë ëndrrën e saj: të krijojë një bandë muzikore me miqtë që ka njohur gjatë këtij rrugëtimi artistik./News24/