Kosova feston këtë vit 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një ditë historike që shënon triumfin e sakrificës dhe aspiratës së popullit shqiptar për liri dhe shtet të pavarur. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, në një ceremoni të organizuar nga Bashkia e Nju Jorkut, Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Blerim Reka, mbajti një fjalim frymëzues, duke rikujtuar rrugëtimin e vështirë por të lavdishëm të shtetit më të ri evropian.
“Të dashur bashkatdhetarë, vëllezër dhe motra, urime 17-vjetori i pavarësisë së Kosovës. Ju faleminderit që ishit ambasadorë të Kosovës kur Kosova nuk kishte ambasada, kur ju ishit zëri i Kosovës së pushtuar dhe flisnit për të në Uashington e Nju Jork,” tha Ambasadori Reka. Ai shprehu mirënjohje të thellë për diasporën shqiptare në SHBA, e cila ka luajtur një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Në fjalën e tij, Ambasadori Reka vlerësoi sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e Komandantit Legjendar Adem Jashari në luftën për liri. Ai gjithashtu falënderoi Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për rolin e tyre vendimtar në çlirimin e Kosovës.
“Ky 17-vjetor i Pavarësisë nuk e harron të kaluarën tragjike: një shekull shtypjeje koloniale dhe gjenocid të Serbisë kundër popullit shqiptar në Kosovë. Por sot, Republika e Kosovës është shteti më pro-amerikan në botë, vendi më demokratik në Ballkan me Kushtetutën më të avancuar për mbrojtjen e pakicave kombëtare,” theksoi ai.
Në 17 vite të shtetësisë së saj, Kosova ka arritur të ndërtojë një demokraci funksionale, duke u shndërruar në një histori suksesi në rajon. “Shteti më i ri evropian, për vetëm 17 vite, u ngrit si feniksi nga tmerret e luftës pushtuese të Serbisë, në një rrëfim suksesi të shtet-ndërtimit demokratik,” deklaroi Ambasadori Reka.
Ceremonia në Bashkinë e Nju Jorkut u zhvillua në prani të përfaqësuesve të diasporës shqiptare, autoriteteve amerikane dhe personaliteteve të njohura, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.
“E ardhmja i takon Kosovës! Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti i bekoftë SHBA!” përfundoi ambasadori Reka, mes duartrokitjeve të fuqishme të të pranishmëve.