Emisari për Misione të Posaçme në administratën Trump, Richard Grenell ka ashpërsuar kritikat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si një lider jo të besueshëm dhe pengesë për stabilitetin në rajon. Komentet e tij, të publikuara në platformën ‘X’, janë rishpërndarë edhe nga djali i presidentit amerikan, Donald Trump Jr.
Grenell hodhi poshtë pretendimet e Kurtit për afërsi me SHBA-në, duke theksuar se administratat e Trump dhe Biden, ashtu si edhe republikanët dhe demokratët, kanë qenë kritikë ndaj tij për qasjen e njëanshme që, sipas tij, destabilizon Ballkanin.
“Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqe në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria e Kurtit nuk ishte e tillë as gjatë mandatit të Trump, as gjatë mandatit të Biden-it. Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë BE-në dhe NATO-n, është e bashkuar kundër Kurtit,” shkroi Grenell.
Ai gjithashtu theksoi se investimet amerikane po përqendrohen në Shqipëri dhe Serbi, duke anashkaluar Kosovën, gjë që e lidh me politikat e qeverisë Kurti.
“Kurti ka kundërshtuar çdo ide të propozuar nga SHBA-ja, pavarësisht nëse në pushtet kanë qenë Clinton, Bush, Obama, Biden apo Trump. Retorika e tij, që pretendon afërsi me Uashingtonin dhe epërsi ndaj qeverive të mëparshme të Kosovës, është e rreme. Mos u mashtroni,” shtoi ai.
Deklaratat e ashpra të Grenellit vijnë në javën e fundit të fushatës zgjedhore në Kosovë, duke u përdorur nga opozita si argument për të akuzuar Kurtin për përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA-në.