Emisari amerikan për misione speciale, Richard Grenell, vijon përplasjen në distancë me kryeministrin e Kosovës. “Është jashtë realitetit”, shkruan zyrtari i administratës së Presidentit Donald Trump, duke iu përgjigjur deklaratës së Albin Kurtit në fushatë se “raportet mes SHBA-ve dhe Kosovës janë më të forta se kurrë më parë.
“Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të ulëta. Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë e Trump, administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada Amerikane, Anthony Blinken etj.”, shprehet Grenell, shkruan A2.
Deklarata e zyrtarit amerikan vjen vetëm dy ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Por, kjo nuk është hera e parë që ai shprehet lidhur me raportet Uashington-Prishtinë. Përmes një statusi në rrjete sociale, Grenell shkruajti se Administrata Trump do të vazhdojë të punojë për paqen në Ballkan, por i nevojiten partnerë të besueshëm, ndërsa përcaktoi se qeveria Kurti nuk është një prej tyre.
“Republikanët dhe Demokratët e kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për marrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Kritika ka pasur edhe nga Bashkimi Europian dhe NATO”, theksonte Grenell gjatë të hënës.
Zyrtari pretendoi se komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit dhe e akuzoi atë se ka qenë kundër çdo propozimi amerikan të bërë nga Presidentët Klinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump.
“Retorika e përdorur nga Kurti tani, me pretendimin se ai është i afërt me SHBA-të dhe dhe se ka raporte më të mira se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është plotësisht false”, shkruan Grenell.
Reagimi i kryeministrit ishte ky: “Kurrë ma mirë nuk i kemi pasur punët, po blejmë edhe helikopterë ‘Black Hawk’, pas sistemit anti-tank Javelin. Grantin më të madh Kosova ndonjëherë prej Amerikës e ka marr në mandatin tonë kjo e korporatës së sfidave të mijëvjeçarit për bateritë. Kemi bashkëpunim jo vetëm politik, por edhe në mbrojtje e zhvillim. A ka ndonjëherë kritika e vërejtje, por ne duhet të ecim përpara”.
Delusional.
Relations have never been lower. Albin Kurti has been condemned by the first Trump Administration, the Biden Administration, NATO, the EU, the U.S. Embassy, Anthony Blinken, etc. https://t.co/jiqMrrk18d
— Richard Grenell (@RichardGrenell) February 7, 2025