Ishulli i Santorinit vijon të përballet me një valë të fortë aktiviteti sizmik, që ka shkaktuar frikë te banorët dhe ka alarmuar ekspertët. Vetëm në 48 orët e fundit, janë regjistruar më shumë se 300 tërmete, ndërsa mijëra banorë po largohen nga ishulli për shkak të pasigurisë.
Megjithatë, mes atyre që kanë zgjedhur të qëndrojnë është edhe Xheni Baja, një 20-vjeçare shqiptare, e cila prej vitesh jeton dhe punon si recepsioniste në një hotel në ishull. Në një intervistë për Protothema.gr, e reja shqiptare tregon se pavarësisht shqetësimit, ka vendosur të mos largohet, ndonëse kishte mundësi të zhvendosej në Athinë ose të kthehej në Shqipëri.
“Në fillim situata nuk ishte aq shqetësuese, as që më shkoi në mendje të largohesha. Por tani, gjërat po bëhen më të vështira. Më kalojnë shumë gjëra në mendje. Si banore e ishullit, jam mësuar me tërmetet, por jo me këtë frekuencë”, rrëfen ajo.
Familjarët e saj tashmë janë larguar nga Santorini, por Xheni ka vendosur të qëndrojë, duke vijuar jetën e saj të përditshme, pavarësisht lëkundjeve të vazhdueshme. “Edhe pse toka dridhet çdo orë, unë vazhdoj këtu”, thotë ajo.
Sipas mediave greke, mbi 6,000 persona janë larguar nga ishulli që prej së dielës me traget, ndërkohë që autoritetet kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura për të gjithë javën, ndërsa është bërë thirrje për shmangien e grumbullimeve të mëdha në ambiente të mbyllura. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka apeluar për qetësi, ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë se lëkundjet mund të vazhdojnë edhe për javë të tëra.
Ndërkohë, shkencëtarët po monitorojnë nga afër situatën, pasi Santorini ndodhet mbi një zonë vullkanike aktive, dhe çdo ndryshim në aktivitetin sizmik mund të sjellë pasoja të paparashikuara për ishullin turistik.