Papa Françesku priti sot në një Audiencë të Përgjithshme rreth 100 studentë dhe akademikë shqiptarë nga universitete të ndryshme të Shqipërisë dhe Italisë, në një takim që theksoi rëndësinë e vlerave humane dhe promovimin e paqes, drejtësisë dhe vëllazërisë.
Në këtë aktivitet të veçantë, i cili forcon lidhjet arsimore dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, ishin të pranishëm edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, si dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu.
Papa Françesku përshëndeti personalisht delegacionin shqiptar, duke theksuar rëndësinë e edukimit si mjet për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të bashkuar. Gjatë vizitës, studentët dhe akademikët shqiptarë patën mundësinë të kalonin edhe nëpër Portën e Shenjtë, e cila hapet një herë në 50 vjet, në kuadër të Vitit Jubilar 2025, një traditë e lashtë biblike që simbolizon faljen dhe mëshirën universale.
Në kuadër të kësaj vizite, ministrat Hasani dhe Manastirliu zhvilluan një takim me Shkëlqesinë e Tij, Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, ku u riafirmua marrëdhënia e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë dhe u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Ministri Hasani, në fjalën e tij drejtuar studentëve, vlerësoi rininë si burimin më të madh të së ardhmes së vendit, duke theksuar se suksesin e një kombi e përcakton aftësia për të bashkuar dhe shfrytëzuar potencialet e tij. “Ajo që vlen të theksohet është që të gjithë ne të jemi të vetëdijshëm se Shqipëria e vogël, veç pasurive të tjera, shpirtërore e materiale, ka edhe një thesar me një potencial të jashtëzakonshëm: rininë,” u shpreh ai, ndërsa ftoi studentët të shfrytëzojnë mundësitë për të kontribuar në administratën publike dhe zhvillimin e vendit.
Ministri Hasani vuri gjithashtu në dukje angazhimin e Qeverisë Shqiptare për të dhënë një rol të ri dhe një dimension të ri diasporës, duke e shndërruar atë në një faktor aktiv të zhvillimit kombëtar.