Në ambientet e Akademisë Mbretërore të Muzikës në Londër, Shoqata Britanike Shqiptare e Artistëve (BACA), në bashkëpunim me këtë institucion prestigjioz, organizoi një mbrëmje të veçantë në nder të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Mbrëmja u hap nga Tomorr Kokona dhe Eduard Alia, ideatorët e këtij eventi kulturor, të cilët theksuan rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të veprës së Kadaresë në diasporë. “Le të jetë kjo një nismë që të kthehet në traditë kudo ku jetojnë shqiptarët,” u shpreh Kokona në fjalën e tij përshëndetëse.
Eventi u drejtua nga pianistja e njohur Mariela Cingo dhe artistja e re Loresa Leka, të cilat jo vetëm performuan, por gjithashtu moderuan dhe intervistuan të ftuarit e veçantë të mbrëmjes. Një nga momentet më mbresëlënëse ishte fjala e përkthyesit zyrtar të veprave të Kadaresë në gjuhën angleze, John Hodgson, i cili foli në një shqipe të pastër dhe plot pasion për letërsinë e shkrimtarit shqiptar.
“Kadarenë, bota e ka lexuar për të kuptuar diçka nga ajo Shqipëri e izoluar dhe misterioze, por edhe tani, kur Shqipëria nuk është më e tillë, ajo mbetet po aq enigmatike. Mendoj se Kadareja nuk e zbardh këtë mister, por e thellon më tej. Ai nuk ka më nevojë për çmime, por për lexues, dhe ne jemi ata që do ta mbajmë gjallë veprën e tij,” u shpreh Hodgson.
Interpretimet muzikore nga artistët Greta Papa në violinë dhe Idlir Shyti në violonçel sollën emocione të forta, ndërsa pjesët nga repertori i kompozitorëve shqiptarë tingëlluan madhështore në këtë mjedis elitar të muzikës në Londër.
Mbrëmja u nderua nga prania e Ambasadorit të Shqipërisë në Britani, Shkëlqesisë së Tij, z. Uran Ferizi, si dhe nga figura të njohura të artit dhe kulturës shqiptare. Poezia dhe proza e Kadaresë u sollën përmes interpretimeve të veçanta nga Robert Wilton dhe Alma Panajoti, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese.
Gjatë aktivitetit u zhvillua edhe një ankand bamirësie, ku të ardhurat do të shkojnë për Klinikën e Fushë-Arrëzit. Në këtë nismë, ideatori Eduard Alia dhe çifti organizatorë, Kokona-Cingo, kontribuan me objekte të veçanta, përfshirë një kitarre elektrike dhe suvenire sportive.
Në përfundim, pjesëmarrësit u ftuan në një banket me specialitete të kuzhinës shqiptare, të ofruara nga restoranti “Illyrian Grill House”, duke e mbyllur mbrëmjen me shije tradicionale dhe atmosferë festive./ Diasporashqiptare/