Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka mirëpritur emërimin e diplomatit danez, Peter Sorensen, si i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Në një reagim në platformën “X”, Kallas theksoi rëndësinë e procesit, duke deklaruar se normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet rruga e vetme për integrimin e tyre në BE.
“Na pret një punë e rëndësishme. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është mënyra e vetme për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE,” shkroi Kallas.
Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje për Miroslav Lajçakun, i cili deri më tani ka udhëhequr këtë proces në emër të BE-së. Gjatë mandatit të tij, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, por marrëveshjet ende nuk janë zbatuar.
Emërimi i Sorensenit është pritur me interes në Kosovë, me pritshmëri për një qasje më të balancuar dhe efektive. Megjithatë, analistët theksojnë se ndryshimi i emrave nuk mjafton, duke kërkuar një riformulim të gjithë procesit të dialogut për të siguruar rezultate konkrete.
I warmly welcome Peter Sørensen as my @EUSR_Dialogue.
There is important work ahead of us. Full normalisation of relations is only way for Kosovo and Serbia to join the EU.
Thank you for your efforts @MiroslavLajcak! Work done serves as basis to reengagement.
— Kaja Kallas (@kajakallas) February 3, 2025