Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me shqiptarët e diasporës në Belgjikë, duke i ftuar ata të luajnë një rol kyç në zgjedhjet e 11 majit.
“Sot vendi ynë i ka sytë tek ju,” deklaroi Noka, teksa iu drejtua të pranishmëve në takim. Ai e cilësoi diasporën si shpresën më të madhe për të kthyer Shqipërinë në rrugën e duhur drejt integrimit europian.
Duke kritikuar ashpër qeverinë aktuale, Noka përmendi premtimet e pambajtura të kryeministrit Edi Rama. “Në 2013, Rama premtoi 300 mijë vende pune. Sot, 1.1 milionë shqiptarë kanë braktisur vendin dhe ndodhen në Bruksel, Gjermani, Itali, Holandë dhe gjithë Europën,” tha ai. Ai shtoi se “shëndetësinë falas” e premtuar nga qeveria është shndërruar në një sistem klientelist në duart e të afërmve të kryeministrit.
Noka e përshkroi 11 majin si një moment historik për vendin. “Këto zgjedhje do të ndajnë epokën e korrupsionit dhe krimit të organizuar nga ajo e zhvillimit dhe integrimit europian. Shqipëria ka një të ardhme të ndritur, por ajo kërkon përkushtimin dhe kontributin tuaj,” u shpreh ai.
Ai vuri theksin tek rëndësia e angazhimit të diasporës në këtë proces zgjedhor, duke theksuar faktin se më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë kufijve të vendit. “Tani është radha e shqiptarëve të diasporës për të ndalur rrugëtimin e vendit drejt asgjëkundit dhe për ta kthyer atë në rrugën drejt Europës,” deklaroi Noka.
Sipas tij, Partia Demokratike ka paraqitur një program të strukturuar dhe serioz që adreson sfidat e mëdha të vendit, duke synuar largimin nga varfëria dhe çrrënjosjen e krimit të organizuar. “Programi ynë është më i miri që ka parë historia e demokracisë shqiptare. 11 maji është mundësia jonë për të sjellë ndryshimin e shumëpritur,” përfundoi ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, Noka i ftoi shqiptarët në Belgjikë të regjistrohen dhe të ndërveprojnë me bashkatdhetarët për të siguruar pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të tyre për të ardhmen e Shqipërisë.