Ismail Qemali, arkitekti i Pavarësisë së Shqipërisë, u nda nga jeta 106 vite më parë, më 24 janar 1919, në qytetin Peruxhia të Italisë, në moshën 75-vjeçare. Ai ndodhej atje me ftesë të Qeverisë Italiane, duke diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë.
Më 8 shkurt 1919, trupi i tij u përcoll nga Peruxhia drejt Vlorës, i shoqëruar nga tre djemtë e tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili, si dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane. Pas një udhëtimi përmes Brindizit dhe më pas me anijen torpediniere “Alpino,” trupi i tij mbërriti në Vlorë.
Më 12 shkurt, një ceremoni madhështore u organizua për nder të tij. Arkivoli i Ismail Qemalit, mbuluar me flamurin kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në varrezat familjare në oborrin e Teqesë. Populli shqiptar e përshëndeti me një pjesëmarrje masive, duke mbushur malet dhe brigjet përgjatë rrugës së kortezhit, si një dëshmi e dashurisë dhe mirënjohjes për veprën e tij të madhe.
Në atë kohë, Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Autoritetet italiane, të frikësuara nga një rebelim i mundshëm, ndaluan përdorimin e flamurit shqiptar në ceremoni. Por këmbëngulja e Këshillit Bashkiak të Vlorës dhe vendosmëria e popullit shqiptar e detyruan komandën italiane të lejonte mbulimin e arkivolit me flamurin kuq e zi, të cilin Ismail Qemali e kishte marrë si dhuratë në vitin 1913.
Ceremonia e varrimit nisi në orën 10:00 me kortezhin e gjatë, ku banda ushtarake luante muzikë funebre dhe nxënësit e shkollave, shoqatat dhe qytetarët vlonjatë shfaqnin respektin e tyre të fundit. Flamuri që mbuloi arkivolin u ruajt nga familja deri më vonë, kur u dhurua për Muzeun Kombëtar.
Më 28 nëntor 1932, në përvjetorin e 20-të të Pavarësisë, trupi i tij u rivarros në Sheshin e Flamurit në Vlorë, pranë një monumenti monumental të punuar nga skulptori Odhise Paskali. Sot, ky vend është simboli i pavdekshëm i njeriut që shpalli pavarësinë dhe i dhuroi Shqipërisë një nga ditët më të ndritura të historisë së saj.
Kjo foto është nga rivarrimi i Ismail Bej Qemal Vlorës më 28 Nëntor në Vlorë 1932 me rastin e 20 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Mbreti Zog organizoi një ceremoni të veçantë për të përçuar nderimin që shqiptarët duhej të kishin për Ismail Bej Qemal Vlorën.