Në një moment të veçantë gjatë ceremonisë së inaugurimit të Donald Trump si president i 47-të të Shteteve të Bashkuara, shqiptaro-amerikanja Angela Halili emocionoi publikun duke lexuar një pjesë nga Bibla.
Përmes fjalëve të saj, Halili përcolli mesazhe falënderimi dhe bekimi, duke tërhequr vëmendjen dhe duartrokitjet e të pranishmëve.
“Zot, të falënderojmë që vullneti yt gjithmonë triumfon. Duam të marrim një moment për të nderuar Presidentin Donald Trump. Të falënderojmë për dashurinë dhe përkushtimin tënd të palodhur që i ke dhënë këtij vendi, dhe ne të bekojmë ty dhe familjen tënde të bukur,” lexoi ajo, duke i dhënë ngjarjes një ton solemn dhe shpirtëror, raporton Telegrafi.
Kujtojmë se Angela Halili ka tërhequr vëmendje edhe më herët. Në nëntor të vitit të kaluar, ajo ndau një video në rrjetet sociale ku shfaqej përkrah presidentit Trump, së bashku me Arielle Restima, bashkë-prezantuese e podkastit të saj “Girls Gone Bible.”
Pjesëmarrja e Halilit në një moment historik të tillë ka rikonfirmuar përfshirjen dhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në ngjarje madhore të SHBA-së.
Kush është Angela Halili
Angela Halili, e lindur më 4 shkurt 1996 në Tiranë, Shqipëri, është një aktore dhe modele shqiptaro-amerikane me një karrierë të spikatur në industrinë e filmit dhe televizionit. Në moshë të re, ajo u shpërngul me familjen e saj në Clearwater, Florida, SHBA, ku zhvilloi pasionin për aktrimin.
E diplomuar nga “American Academy of Dramatic Arts”, Angela ka interpretuar në projekte të njohura si “American Horror Stories” dhe “Welcome to Chippendales”. Në vitin 2022, ajo u kthye në Shqipëri për të luajtur në filmin “Sofia” me regji të Eduart Grishaj, duke shprehur krenarinë për origjinën e saj shqiptare.
Përveç aktrimit, Angela është bashkë-prezantuesja e podkastit “Girls Gone Bible” së bashku me Arielle Reitsma, ku trajtojnë tema të besimit dhe vlerave të krishtera. Ky podkast ka fituar popullaritet të gjerë, duke arritur miliona shikime dhe duke krijuar një ndjekës besnik.
Angela është mbesa e futbollistit të njohur shqiptar, Skënder Halili, dhe ka një lidhje të fortë me sportin, duke luajtur futboll për 10 vjet dhe aktualisht duke u marrë me boks. Ajo shprehet krenare për trashëgiminë e saj shqiptare dhe vazhdon të kontribuojë në promovimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.