Botohen në Itali fragmente nga ditari i mjekut Hasan Kurti. Libri, që përmban citate dhe aforizma titullohet: “L’arrivo di una nuova stagione” (Ardhja e një stine të re). Përkthimi në gjuhën italiane është bërë nga poetja, shkrimtarja dhe përkthyesja Irma Kurti. Vepra mban logon e shtëpisë botuese Youcanprint.
Në shënimet e shkruara nga Irma Kurti lexojmë: “Kjo përmbledhje citatesh dhe aforizmash me titull ‘Ardhja e një stine të re’ është e dyta pas ‘Mes rreshtave të një ditari’ botuar nga Youcanprint në vitin 2022. Citimet janë marrë nga ditari i babait tim; ato tregojnë dëshminë e tij, vullnetin dhe këmbënguljen, guximin për të jetuar jetën dhe për të buzëqeshur deri në momentin e fundit të ekzistencës së tij, pavarësisht vështirësive të shumta”. Imazhi i kopertinës është një pikturë nga Biagio Fortini.
Hasan Kurti ka lindur në qytetin e Elbasanit, në Shqipëri. Fëmijëria e tij e jetuar mes varfërisë dhe sëmundjes nxiti tek ai dëshirën për t’u bërë mjek dhe për të ndihmuar kështu njerëzit e dobët dhe fatkeqë, duke ia dedikuar gjithë jetën këtij profesioni. Doli në pension në vitin 1993. Në vitin 2006 së bashku me bashkëshorten emigroi në Itali pranë vajzave të tij.
Ai ishte lexues i apasionuar i letërsisë klasike dhe moderne, duke ia përcjellë këtë pasion vajzës së tij, poetes dhe shkrimtares Irma Kurti. Luajti një rol themelor në inkurajimin dhe mbështetjen e krijimtarisë së saj. Pas vdekjes së gruas së tij në 2006, ai iu përkushtua shkrimit të kujtimeve të jetës së tij dhe përvojës së punës si mjek. Ai mbylli sytë përgjithmonë më 19 prill 2018 në Bergamo të Italisë.
Hasan Kurti la ditarë të ndryshëm me fakte, mbresa dhe përjetime, të pasuruara me shënime kritike dhe komente për librat e shumtë të lexuar ndër vite. Shënime për jetën familjare dhe për kujtimet e miqve në shkollë apo për pacientët e tij gjatë përvojës së gjatë të punës janë përfshirë në librin “I ricordi di un medico” (Kujtimet e një mjeku), botuar në Itali në vitin 2020 nga Shtëpia Botuese Kimerik dhe në 2021 nga “Ada” në Shqipëri.
Në vitin 2022, fragmente të kujtimeve të tij u botuan në Prishtinë, Kosovë; në italisht, me titullin “Tra le Righe di un Diario” (Mes rreshtave të një ditari) nga Youcanprint dhe në anglisht, në Filipine, nga Shtëpia Botuese Poetry Planet Book, e cila nominoi “Fragmente nga ditari i një mjeku” si librin më të mirë në kategorinë Poezi të shkurtra dhe citime në konkursin letrar të organizuar nga Shtëpia botuese dhe Çmimet Ophir të akredituara nga Departamenti i Arsimit në Filipine. Shtëpia botuese Poetry Planet Book botoi në 2024 veprën e Hasan Kurtit në gjuhën angleze “The arrival of a new season” (Ardhja e një stine të re).
“I ricordi di un medico” u shpall si një ndër 200 librat më të bukur në Itali në Konkursin Kombëtar Letrar “Tre Colori” në Lenola (Latina), në vitin 2021. Ky libër u nderua me vendin e tretë në Konkursin Letrar “La lanterna bianca” në Messina të Siçilisë. Në të njëjtin vit vepra nderohet me çmimin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Universum Academy”, në kategorinë e veprave të botuara, organizuar nga Akademia Ndërkombëtare Universum në Lugano, në Zvicër.
Hasan Kurti u nderua pas vdekjes me Çmimet Letrare Naji Naaman, 2024, në Liban. Librat e tij janë botuar në gjuhë të ndryshme si në shqip, italisht, anglisht dhe frëngjisht në Shqipëri, Kosovë, Itali, Filipine dhe Kamerun.