Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh të rëndësishëm për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar të regjistrohen për të ushtruar të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Në një videomesazh publik, kryeministri theksoi se procesi i regjistrimit është i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këto zgjedhje historike. Ai kujtoi se afati për regjistrim përfundon më 4 mars dhe nënvizoi rëndësinë e informimit dhe angazhimit të komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
“Prej vitesh shumë prej jush në emigracion më kanë shkruar se ‘duam të votojmë, pse nuk votojmë, kur do të votojmë.’ Kam një merak tani që më në fund ua siguruam këtë të drejtë: mos mbeteni pa votuar për shkak të mungesës së informacionit,” tha Rama.
Kryeministri sqaroi se votimi për shqiptarët jashtë vendit do të realizohet me postë, duke i lehtësuar pjesëmarrjen. Megjithatë, ai theksoi se regjistrimi paraprak në portalin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), www.kqz.gov.al, është hapi i parë dhe i domosdoshëm.
“Regjistrimi është një proces i thjeshtë, por kërkon disa minuta durim. Mos përtoni dhe mos e shtyni për nesër apo për pasnesër, sepse koha fluturon. Regjistrohuni tani, sepse vetëm ata që do të regjistrohen deri më 4 mars do të kenë mundësinë të votojnë. KQZ do t’ju dërgojë me postë fletën e votimit, të cilën ju do ta ktheni përsëri në të njëjtën mënyrë,” sqaroi Rama.
Ai gjithashtu garantoi se Qeveria do të mbulojë plotësisht koston e dërgimit të fletëve të votimit me postë, duke e bërë këtë proces pa asnjë barrë financiare për qytetarët.
“Regjistrohuni dhe votoni që të ngremë edhe më lart respektin për emrin e Shqipërisë dhe shqiptarit kudo ku jetoni. Ju e dini se kush e përmbysi emrin e keq të vendit dhe kush ngriti kokën e ulur të shqiptarëve në shumë vite në Greqi, Itali e gjetkë. Prandaj nuk do ta keni të vështirë të vendosni se për kë të votoni, por për ta bërë këtë, më parë duhet të regjistroheni. Koha nuk pret!” përfundoi ai.
Ky mesazh vjen si një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen e diasporës në proceset vendimmarrëse, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit për një Shqipëri më të fortë.