Nuk është në natyrën time të shikoj shumë në të shkuarën. Nëse do të përmendja diçka të veçantë për 2024-ën do e quaja “viti i votimeve në botë”. Në këtë vit, gjysma e popullsisë botërore, në mbi 60 shtete u gjend përpara kutive të votimit. Dhe votimet gjithmonë janë një moment i veçantë, pasi gjithmonë janë të lidhura me një shpresë të re.
Në vitet 1990, në fund të së ashtuquajturës “Lufta e Ftohtë”, pamë një rritje të numrit të demokracive në mbarë botën. Sundoi ideja se demokracia liberale kishte fituar, gjë që në fund të fundit, ishte një formë qeverisjeje që respekton të drejtat dhe liritë e qytetarëve.
Por në dhjetë vjeçarin e fundit po shfaqen tendenca të reja. Nëse sot lexon apo dëgjon lajmet, kudo flitet për konflikte dhe gjeopolitika. Në fakt, gjeopolitika është qasje emocionale, pasi kushdo kërkon një pozicionim të tij në momente konfliktesh. Ajo që bie ne sy, si tendencë e re, është “Autokratizimi”.
A është kjo diçka shqetësuese?!
Nëse, për shembull, kufizohet liria e shtypit apo liderët bëhen të përjetshëm dhe jo gjithmonë mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre?
Përgjigje që me shumë siguri do të na e japë historia.
Edhe ne, sipas radhës, kemi votimet tona në këtë vit të ri. Të gjithë aktorët politikë morën iniciativën dhe e lejuan votën e diasporës në distancë, pasi të drejtën për të votuar brenda territorit shqiptar e kemi pasur.
Kjo është shenjë e mirë dhe kërkon mirënjohje ndaj të gjithë atyre që e mbështetën si iniciativë. Mirënjohje edhe ndaj skeptikëve, që me dyshimet e tyre ndihmuan procesin që të përmirësohet. Zhvillimet e fundit, jo vetëm ato lokale si vota e diasporës, por ndërkombëtare që janë të lidhura me konfigurimet e reja politike dhe jo vetëm, shtrojnë përpara sfidën e përshtatjes në një realitet të ri. E ky realitet ofron mundësi, të cilat të bëjnë të ëndërrosh.
Kuptohet që është ende herët për të vlerësuar rëndësinë dhe influencën në ekonomi, por një gjë është e sigurt: balancat botërore që janë lëkundur fort, do të ndihen në mënyrë të pashmangshme edhe tek ne. Disa polarizime dolën qartë në pah, grupime të djathta apo të majta po luajnë rol aktiv, bota po përballet me egoizma të reja dhe ajo që po ndodh në këto momente është fare e qartë: lojtarët kryesorë po luajnë poker blof.
E gjithë kjo lojë po bëhet për të ardhmen e dollarit. A do t’i mbijetojë ai balancave të reja ekonomike botërore?! Sa të forta do të jenë aleancat e reja në BRICS dhe a do t’i rezistojnë kohës?! Çfarë roli do t’i mbetet Europës?! Ne nuk mund të jemi jashtë këtij realiteti. Ajo që përjetojmë në këtë botë shumëpolare, është diversiteti i ideve dhe pikëpamjeve.
Në fakt, në Shqipëri kjo qasje është pranuar dhe qeveria ka qenë e qartë dhe e vendosur në rrugëtimin për t’iu përshtatur faktorëve të rinj ndërkombëtarë.
PËR NE, BASHKIMI EUROPIAN ËSHTË E VETMJA E ARDHME.
Patjetër që kjo filozofi shumëpolare kërkon dhe reagime të nuancuara, studim më të thellë të rreziqeve për tregun vendas dhe një vlerësimin më të plotë të potencialit afatgjatë të transformimeve që po ndodhin dhe do të ndodhin.
Në këndvështrimin tim, atë që po ndodh sot rreth nesh, po e grupoj në tre tema kryesore: — burimet (natyrore dhe njerëzore) qe në disponojmë, produktiviteti (apo shfrytëzimi i burimeve) dhe krijimi i vlerës së shtuar; — logjistika globale e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit; — tregjet e së ardhmes, industritë e së ardhmes që mund të ndryshojnë botën.
Në këtë fazë që ndodhet ekonomia jonë, me turizmin që çdo ditë e më shumë po bëhet motori i aktivitetit ekonomik, ka një disbalancë midis burimeve natyrore, infrastrukturës dhe burimeve njerëzore. Kjo sjell si pasojë, një produktivitet të ulet dhe jo cilësor. Vlera e shtuar ndër vite zvogëlohet, nëse nuk investohet në kapitalin njerëzor dhe nuk adoptohet në atë drejtim që evolucioni sjellë.
Një shembull fare i qartë i kësaj është ajo që ka ndodhur në periudhën 15 vjeçare, 2005-2020 në industrinë elektronike të konsumit tek 5 kompanitë më të mëdha botërore. Koha ka treguar se ato kompani që i janë përshtatur tregut dhe kanë pasur strategji dhe vizion të qartë i kanë mbijetuar evolucionit.
Në vitin 2005, kompanitë më të mëdha në botë nga nr. 1 tek nr. 5 ishin: Sonny, LG, Samsung, Microsoft dhe Sharp. Në vitin 2020 renditja ishte: Apple, Huawei, Samsung, Sonny dhe LG.
Kjo tregon qartë për vizionin dhe rolin e dy gjigandëve, Appel dhe Huawei, të cilët në 2005 ishin pothuajse të papërfillshëm, por që nëpërmjet një strategjie të qartë zotërojnë sot rreth 51% të tregut botëror.
Padyshim që diçka e tillë do të ndodhë edhe tek ne. Natyrisht në sektorë të tjerë, sado vend i vogël që jemi. Nuk mjafton të thuash se turizmi u rrit nga 10 milion në 12 milion vizitorë, pasi çdo rritje ka rreziqet dhe pasojat e veta. Turizmi, nga njëra anë, jep një kontribut të lartë në zhvillimin dhe diversifikimin e ekonomisë, por nga ana tjetër, nuk ka prirje të motivojë sektorin e teknologjisë dhe inovacionit, fushë në të cilën, veçanërisht ne jemi shumë larg. Nëse në këtë sektor nuk menaxhohen mirë asetet kryesore të tij, burimet natyrore, infrastruktura dhe fuqia punëtore, do të ketë ndikime të medha ekologjike, përqendrime gjeografike dhe sezonale të fuqisë punëtore, por edhe rritje të kostos së jetesës për vendasit.
Në asnjë çast nuk mund të harrojmë ndikimet e Covid-19 në logjistikën globale të mallrave, shërbimeve apo kapitalit njerëzor, pasi ato janë ende të freskëta në kujtesën tonë. Duke parë pozitën tonë gjeografike, në pjesën perëndimore të Ballkanit, na është dhënë avantazhi i shkëlqyer në krahasim me fqinjët tanë përsa i përket konektivitetit, për të qenë “The Gateway to South East Europe”.
Këtu me të drejtë mendohet për aeroporte, porte detare apo hekurudha, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me lëvizjen fizike të mallrave apo njerëzve. Një vend të veçantë në vitet e fundit po marrin iniciativat e reja në fushën e energjisë së gjelbër, për të cilën Europa çdo ditë e më tepër ka nevoje sot.
Një tjetër sektor për t’u inkurajuar dhe që ka ende potenciale të mëdha zhvillimi është ai bankar dhe financiar, që zotëron edhe një nivel të lartë likuiditeti. Avantazh tjetër është fakti se popullsia është ende relativisht e re dhe ekonomia është zhvilluar kryesisht nga nismat private, çka dëshmon për një sipërmarrje me iniciativë dhe intuitë.
Thënë më thjesht, ne kemi gjithçka që na duhet për të ëndërruar në një Vit të Ri sfidues, por plot mundësi!
*Autori është kryetar i “Dhomës së Biznesit të Diasporës” dhe anëtar i “Këshillit Koordinues të Diasporës”