Në Reçak kanë nisur homazhet në nderim të 45 civilëve të vrarë nga forcat serbe 26 vjet më parë. Qytetarë të shumtë po bëjnë homazhe në Reçak.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ish-ambasadori Willam Wolker kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.
Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili vjen për homazhe vjen në pothuajse në çdo përvjetor ka thënë se dikur ishte kryesisht një shërbim përkujtimor, por tash ka njerëz nga e gjithë Kosova.
“Çdo vit, mbetem i mahnitur nga numri i njerëzve që janë këtu nga i gjithë vendi. Dikur ishte kryesisht një shërbim përkujtimor, por tani ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe supozoj se ka edhe nga e gjithë bota. Pra, ju falënderoj që po e pasqyroni këtë, ju uroj të gjithëve një ditë shumë të lumtur dhe i uroj gjithë popullit të Kosovës një Vit të Ri të lumtur”, ka thënë ai.
Krerët e partive opozitare kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.
Homazhe ka bërë kryetari i PDK-së Memli Krasniqi i shoqëruar nga kandidati për kryeministër nga kjo parti Bedri Hamza. Krasniqi ka thënë se klasa politike dhe krerët e shtetit nuk duhet të ndjehen rehat, derisa të ketë drejtësi për secilën jetë të dhënë për lirinë e Kosovës.
Përkujtojmë një ndër masakrat më të tmerrshme të luftës tonë për liri, dhe në këtë ditë përkujtojmë të gjitha viktimat e gjenocidit serb në Kosovë. Ky është një moment për secilin prej nesh e në radhë të parë për institucionet dhe për klasën politike që edhe një herë të zotohen se asnjë prej nesh nuk duhet të ndjehemi rehat, derisa të ketë drejtësi për secilën jetë të dhënë për lirinë e Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.
Ndërsa, Bedri Hamza tha se Kosova duhet të punoj fort që historia të ruhet, si dhe të ndërtohet memoriali i gjenocidit.
“Është një dhimbje po është edhe një gur i madh në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ne do të punojmë fort që historia të ruhet të ndërtohet memoriali i gjenocidit dhe respekt dhe përulësi deri në përjetësi për të rënët e Reçakut”, ka thënë Hamza.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se masakra e Reçakut është pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare. Pas homazheve në Kompleksin Memorial, ai tha se në këtë përvjetor, të gjithë kemi detyrimin moral ta mbajmë gjallë kujtesën e Masakrës së Reçakut.
Homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak ka bërë edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj së bashku me partnerët e koalicionit. Ai ka kërkuar drejtësi për civilët e vrarë e masakruar në Reçak nga forcat serbe.
“E para që na duhet ta themi është se duam drejtësi, diçka që na takon me të drejtë për të kërkuar. Ende nuk ka drejtësi për Reçakun dhe për shumë masakra në Kosovë. Është absurde kjo gjendje që të mos ketë drejtësi dhe të mos nxirren para gjyqit ata qe i kanë kryer këto krime”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka thënë se e vërteta e Reçakut dhe Kosovës është e pandryshueshme përjetësisht.
“I përjetshëm kujtimi për martirët e Reçakut, e vërteta e Reçakut dhe Kosovës është e pandryshueshme përjetësisht, liria ka ardhur falë gjakut dhe sakrificës, gjithsesi edhe falë ndihmës së aleatëve tanë, NATO-s prirë nga Amerika”, ka thënë ai.
Ndërsa, kreu i Nismas, Fatmir Limaj ka thënë se masakra e Reçakut është në themelet e lirisë së Kosovës, andaj me përkulje nderojmë të gjithë martirët dhe dëshmorët, jo vetëm të kësaj masakre, por të gjithë kombit.
Homazhe ka bërë edhe Eman Rrahmani nga Lista për Familjen.