“Silent Poetry,” një ngjarje unike artistike që do të mbahet nga 12 shkurti deri më 9 mars në Todmorden Mills Heritage Site dhe që do të shpalosë fuqinë e artit si gjuhë universale. Publiku shqiptaro-kanadez, dhe jo vetwë do të ketë mundësinë të përjetojë një rrëfim vizual të përbërë nga 110 vepra artistike, krijime të 25 artistëve shqiptarë-kanadezë.
Art që tejkalon kufijtë e fjalëve
Kjo ekspozitë, e cila është në edicionin e saj të pestë, nuk është vetëm një prezantim artistik, por një dialog mes traditës dhe modernes, një lidhje e rrallë midis trashëgimisë shqiptare dhe përvojës shumëkulturore të Kanadasë. Në fokus janë jo vetëm veprat e artit, por edhe aktivitetet ndërvepruese që synojnë të frymëzojnë brezat e rinj:
- Piktura live, ku një modele e veshur me kostume tradicionale shqiptare do të bëhet pjesë e një performance artistike të hapur.
- Kurs kreativ për fëmijë të moshave 10-15 vjeç, që do t’u japë atyre mundësinë të përjetojnë nga afër artin vizual.
- Shkëmbim kulturor, që synon të ndërtojë ura mes komunitetit shqiptar dhe kulturës së gjerë kanadeze.
Një udhëtim përmes artit dhe traditës
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shohin krijimet e 25 artistëve të komunitetit shqiptaro-kanadez nga Toronto, York Region, Montreal, Halifax, si dhe pertej oqeanit: Albana Canga, Alba Feinaj, Altin Muçiqi, Ardian Radovicka, Dhurata Sahatçija, Dritan Gavane, Edlira Efovi, Emma Radovicka, Entela Konomi, Elis Tarelli, Ermal Xhixha, Frida Vokshi, Genti Hali, Ilir Butka, Imelda Prifti, Jasmina Ujkani, Kristaq Turtulli, Rrapi Sota, Robert Simoni, Petro Dhimitri, Victoria Xhixha, Vilma Saraci Mebelli, Viola Ilia, Zeqirja Rexhepi dhe Ylli Radovicka.
Çdo punim është një fragment unik i historisë dhe kulturës shqiptare, që flet përmes ngjyrave, formave dhe emocioneve.
Një angazhim për ruajtjen e trashëgimisë
Ekspozita është organizuar nga dy prej organizatave të komunitetit, ACDA dhe MGT, të cilat prej vitesh kanë luajtur një rol kyç në promovimin e kulturës shqiptare në Kanada.
Falënderime të veçanta u drejtohen artistëve pjesëmarrës dhe bashkëpunëtorëve, ndër ta Vilma Saraci Mebelli për drejtimin e klasës së fëmijëve dhe Ermal Xhixhës, i cili krijoi postin promovues të ekspozitës duke përdorur një pikturë të mirënjohur nga Zeqirja Rexhepi.
Ftesë për artdashësit
“Silent Poetry” nuk është thjesht një ekspozitë, por një festë e artit dhe identitetit kulturor shqiptar. Ju ftojmë të shënoni në kalendar këtë ngjarje të jashtëzakonshme dhe të bëheni pjesë e inagurimit dhe aktiviteteve speciale që e shoqërojnë.