Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvilloi sot një seancë publike, ku miratoi projektvendimin: “Për miratimin e Rregullores për shqyrtimin nëpërmjet PER të kërkesave për regjistrim të zgjedhësve nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvend, të datës 11 maj 2025”.
Gjatë seancës, përfaqësuesja e Partisë Socialiste në KQZ, Elena Xhina, shprehu disa qëndrime mbi procedurën e shqyrtimit të kërkesave nga personeli i autorizuar nga KQZ.
Xhina theksoi rëndësinë e përcaktimit të një afati të qartë për vendimmarrjen kur një kërkesë shtyhet për arsye të ngarkesës ose rrethana të tjera. “Duhet vendosur një afat maksimal për shqyrtimin e një kërkese të shtyrë, që të mos tejkalohet afati 5-ditor i përcaktuar nga Komisioni Rregullator,” tha ajo.
Për më tepër, Xhina propozoi zgjerimin e formulimit të dispozitës për dokumentacionin e aplikantëve. “Në rastet kur një dokument ka më shumë emra, duhet parashikuar që emri i aplikuesit të jetë një ndër emrat që përmban dokumenti,” sugjeroi ajo.
Ajo gjithashtu kërkoi që arsyet e refuzimit të jenë të qarta për aplikuesit dhe që specialisti të shtojë një shënim që u jep të drejtë qytetarëve të riaplikojnë. Në rast refuzimi, Xhina propozoi gjithashtu që partitë të kenë akses në dokumentacionin për të vënë në lëvizje KQZ-në nëse konstatohen shkelje.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Franci Nuri, kërkoi transparencë maksimale në procesin e vendimmarrjes së operatorëve. Ai theksoi se të dhënat e refuzimit dhe miratimit të aplikimeve duhet të jenë të aksesueshme nga audituesit dhe stafi teknik. Gjithashtu, Nuri kërkoi që vendimmarrja finale të jetë përgjegjësi direkte e Komisionerit dhe jo vetëm e specialistëve.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, sqaroi se drafti i refuzimit të kërkesave përfshin arsyen e refuzimit dhe qartësinë mbi dokumentacionin e nevojshëm. Ai garantoi akses të plotë për audituesit për të verifikuar të gjithë setin e kërkesave të ngarkuara në platformë.
Në lidhje me shqyrtimin e shtyrë të kërkesave, Celibashi theksoi se procedura duhet të respektojë afatin 5-ditor, i cili është i panegociueshëm.
Në përfundim të mbledhjes, projektvendimi për rregulloren e re u miratua, duke siguruar një bazë më të qartë dhe transparente për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.