11 janari 2025 është një ditë historike, pasi për herë të parë do të nisë procesi i cili do ti mundësojë shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë të votojnë në vendin amë. Thënë ndryshe Diaspora për herë të parë do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Këtë të shtunë, më 11 janar 2025 do të aktivizohet PER, platforma për regjistrimin e votuesve jashtë Shqipërisë për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025.
Regjistrimi do të bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni KQZ https://apps.apple.com/al/app/komisioni-qendror-i-zgjedhjeve/id6448755948
ose
https://play.google.com/store/apps/details?id=com.kqz.app.kqz&pcampaignid=web_share
ose nëpërmjet faqes https://kqz.gov.al
- Dokumentat që duhen për regjistrimin në platformën PER
- Kartë ID ose Pasaportë;
- Dokumentacioni i nevojshëm i deklarimit të adresës. (Duhet të përmbajë emrin e zgjedhësit të njëjtë me emrin në dokumentin e ID për regjistrim në PER)
Ose një prej këtyre dokumentave:
- dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës;
- dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj, i lëshuar nga autoritetet përkatëse;
- kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;
- dokument/e bankare (kontratë kredie, vërtetim bankar etj), që përmban adresën e banimit;
- kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë;
- kontratë furnizimi ose faturë të energjisë (gaz ose elektrike) në banesë;
- kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive;
- kontratë ose faturë të ofrimit të shërbimit të internetit/telefonisë fikse në banesë;
- leje drejtimi automjeti (patentë), në rastet kur shënohet adresa e banimit;
- dokument të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni, apo tjetër të ngjashëm;
- çdo dokument tjetër, i lëshuar në shtetin e huaj, që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e vetëdeklaruar jashtë vendit.
Për regjistrimin ju nevojitet një pajisje elektronike (telefon inteligjent (smart phone), laptop, PC i pajisur me kamera ballore) për verifikimin nëpërmjet fotografimit të fytyrës për regjistrimin në PER dhe skanimi (fotografimi) i dokumentit të identifikimit dhe të dokumentit tjetër të deklarimit të adresës.