Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën dhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Diasporës shqiptare që të rregjistrohet prej datës 11 janar, ditë kur do të celet platforma on line për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që dëshirojnë të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Ministri Balla në një video të publikuar në rrjetet sociale deklaron se ky proces do të realizohet përmes një platforme të re elektronike të ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas Ballës, Kodi Zgjedhor i miratuar më 26 korrik 2024 përcakton që regjistrimi i votuesve jashtë vendit fillon katër muaj përpara ditës së zgjedhjeve. Ai e cilësoi procesin si të rëndësishëm, ndonëse pak të koklavitur, duke theksuar se është një praktikë që ekziston në shumë vende të botës.
Për t’u regjistruar, çdo shtetas duhet të hapë një llogari në platformën elektronike të KQZ-së, e cila do të jetë funksionale nga 11 janari. Procesi nuk lidhet me platformën e-Albania, por përfshin një sistem të ri, ku aplikantët duhet të fotografojnë fytyrën e tyre për verifikim dhe të presin një konfirmim nga KQZ.
“Në momentin kur të vjen konfirmimi nga KQZ-ja për procesin e votimit, do të duhet të vendosësh edhe një adresë. Për të konfirmuar këtë adresë, mjafton çdo lloj dokumenti që mund të keni, qoftë një kontratë qiraje për shtëpi, qoftë një kontratë furnizimi me ujë të pijshëm, qoftë një kontratë furnizimi me internet apo energji elektrike, ose edhe çdo lloj dokumenti tjetër, qoftë leje qëndrimi (permesso di soggiorno) apo një kontratë me bankën. Për fëmijët, le të themi, mund të përdoret një vërtetim nga shkolla” tha Balla duke folur para emigrantëve në Firence.
Balla apeloi që votuesit të mos e neglizhojnë plotësimin e fletës së votimit sapo ta marrin dhe ta dërgojnë në kohë për në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin demokratik.
“Pra, të gjitha këto dokumente, mjafton një prej tyre, fotografohet, vendoset aty dhe konfirmohet ajo adresë. Në atë adresë, përmes postës, do të vijë edhe fleta e votimit. Kjo fletë duhet të mos lihet siç e kemi zakon ne shqiptarët – që na vjen dhe e lëmë aty te frigoriferi dhe harrojmë – por atë ditë që do të vijë, secili ta plotësojë dhe ta nisë për në Shqipëri” deklaroi Balla.
Platforma Elektronike e Regjistrimit (PER) u prezantua fundvitin e kaluar do të jetë në versionet desktop dhe mobile, pa pagesë duke filluar nga data 11 janar.
Fillimisht duhet të krijohet një llogari në ”PER” me anë të një numri telefoni ose emaili dhe më pas vjen një mesazh nga KQZ me një kod 6-shifror njëpërdorimësh. Pas vendosjes së tij të kërkohet të krijosh një fjalëkalim me 8 karaktere, me përmbajtje një shkronjë të madhe, një të vogël dhe një numër brenda 8 karaktereve. Aplikimi do mund të bëhet vetëm nga njerez realë pasi fytyra do duhet të pozicionohet te kamera ku sistemi do te kapë imazhin e votuesit.