Sot, bota e krishterë feston Krishtlindjen, një prej festave më të rëndësishme të vitit për besimtarët, e cila simbolizon lindjen e Jezu Krishtit. Për miliona njerëz, kjo festë është një moment i veçantë që kombinon dimensionin shpirtëror me traditat e pasura kulturore.
Sipas një dokumenti të hershëm, Kronografit të vitit 354, Krishtlindja kremtohej në Romë më 25 dhjetor. Kjo datë përkonte me festën pagane të solsticit të dimrit, të njohur si “Natalis Solis Invicti”, ose “Lindja e Diellit të Pamposhtur”. Pas natës më të gjatë të vitit, kjo festë simbolizonte rikthimin e forcës së re të diellit. Me kalimin e kohës, ritet e kësaj feste iu përshtatën besimeve monoteiste, duke u bërë pjesë e traditave të Krishtlindjes.
Përveç dimensionit fetar, Krishtlindja ka fituar një rëndësi të madhe kulturore për miliarda njerëz anembanë globit. Tregimi biblik i festës, i rrëfyer në Dhiatën e Re, përshkruan lindjen e Jezusit në Betlehem, sipas profecive mesianike. Kur Maria dhe Jozefi arritën në qytet, nuk gjetën vend në bujtinë, prandaj iu ofrua një stallë ku lindi Jezusi. Engjëjt shpallën këtë lajm barinjve, të cilët përhapën fjalën për lindjen e shpëtimtarit.
Një nga traditat më të dashura të Krishtlindjes është shkëmbimi i dhuratave, një zakon që rikujton dhuratat e barinjve dhe të mbretërve-dijetarë për fëmijën e porsalindur.
Në vendet e Lindjes, kryesisht me besim ortodoks, Krishtlindja fillimisht kremtohej më 6 janar, e njohur si Epifania, që do të thotë “dukje” ose “shfaqje hyjnore”. Më vonë, Kisha Lindore pranoi datën 25 dhjetor si ditën e Krishtlindjes, një praktikë që u bë e zakonshme në Antioki rreth vitit 376 dhe në Konstandinopojë në vitin 380, gjatë kohës së Shën Gjon Krizostomit.
Sot, Krishtlindja festohet më 25 dhjetor nga katolikët, protestantët dhe ortodoksët që ndjekin kalendarin gregorian. Ndërsa më 6 janar kremtohet nga Kishat Ortodokse Lindore dhe më 7 janar nga ato që ndjekin kalendarin julian. Kisha Apostolike Armene e Jeruzalemit kremton Krishtlindjen më 19 janar, gjithashtu sipas kalendarit julian.
Kjo festë, e mbushur me dashuri, paqe dhe solidaritet, vazhdon të mbajë gjallë traditat shpirtërore dhe të afrojë njerëzit në mbarë botën.