Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla ishin të pranishëm në një event festiv të organizuar nga minibashkia e Walthamstow, ku u takuan me përfaqësues të komuniteteve të huaja që jetojnë në Londër. Gjatë aktivitetit, i cili kishte në fokus diversitetin kulturor, spikati komuniteti shqiptar me paraqitjen e tij mbresëlënëse, të kuruar nga Juliana Shalla, një shqiptare që prej 9 vitesh jeton në kryeqytetin britanik.
Anëtarët e komunitetit shqiptar u prezantuan me veshjet tradicionale kombëtare dhe përçuan një imazh dinjitoz të kulturës shqiptare. Veshjet e tyre, të ndërlidhura me festën e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor, tërhoqën vëmendjen dhe lanë mbresa pozitive te zyrtarët lokalë, përfshirë Mbretin Charles III.
Gjatë ndalesës së tij te stenda shqiptare, Mbreti Charles tregoi interes për trashëgiminë kulturore shqiptare, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë theksuan rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe traditave në diasporë. Në vijim të suksesit të tyre, komuniteti shqiptar në Londër u ftua sërish për të marrë pjesë në një tjetër event multikulturor ndërkombëtar, duke dhënë një shembull të shkëlqyer të integrimit dhe prezantimit të identitetit kombëtar.
Juliana Shalla, përfaqësuese e komunitetit shqiptar në këtë aktivitet, ndan emocionet e kësaj eksperience për “Diaspora Shqiptare”. Ajo rrëfen për angazhimin e pandërprerë të komunitetit në Britani për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si një urë lidhëse midis brezave të rinj dhe origjinës së tyre.
Cili ishte emocioni i parë që provuat pasi morët ftesën për të marrë pjesë në këtë event kaq prestigjioz dhe për të takuar Mbretin Charles III?
U ndjeva shumë krenare që do të kisha mundësinë të tregoja kulturën dhe traditat shqiptare përballë Mbretit dhe Mbretëreshës. Për një moment nuk ju besova syve kur pash ftesën.
Ky event do të thotë shumë për mua, por gjithashtu dhe për komunitetin shqiptar në Angli dhe për Shqipërinë.
Dhe pas takimit me Mbretin?
Ishte ndjesia me e bukur kur Mbreti dhe Mbretëresha ndaluan pranë stendës sonë dhe treguan interes për të ditur më shumë për traditat shqiptare. Ata vështruan me shumë interes veshjet dhe dekoret shqiptare që kishim në tavolinën tonë. Dhe ashtu si vetëm shqiptarët e kanë një mikpritje të tillë, që gjithmonë kemi dëshirë të dhurojmë diçka, i kisha përgatitur një dhuratë, një bust të heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut dhe një punim me dorë të personalizuar, një grup valltaresh duke kërcyer. Kjo gjë bëri diferencën nga grupet e komuniteteve të tjera.
Gjithashtu një tjetër detaj tërhoqi shumë vëmendje, jo vetëm nga Mbreti, por dhe të gjithë pjesëmarrësit. Veshjet kombëtare, Unë kisha ftuar disa të rinj e të reja nga komuniteti shqiptare të cilët erdhën për të përfaqësuar me veshje popullore.
Si do ta përshkruanit angazhimin tuaj në ndërtimin e urave midis komunitetit shqiptar dhe shoqërisë britanike?
Angazhimin tim e kam treguar ndër vite, pasi kam filluar të përfshihem shumë me komunitetin shqiptar në shumë evente të ndryshme mes komuniteteve të ndryshme dhe arsyeja që kam vazhduar dhe nuk kam hequr dorë ka pas qenë pikërisht kjo, pra krijimi urave lidhëse dhe të qenurit përfaqësues në evente të ndryshme. Ne jemi tashmë kudo prezent. Edhe për festën e Pavarësisë ku kryetarja e komunës ishte e ftuar speciale. Pas asaj dite ajo u shpreh se ndihej shumë e mirëpritur dhe se për të ishim njerëz të dashur dhe të respektueshëm, duke theksuar se kemi plot tradita të mrekullueshme. Dhe duke kërkuar që të ftohej në çdo festë shqiptare. Siç u shpreh personalisht: Kam shumë dëshirë të vij. Kjo ishte një arritje pasi pikërisht ky është qëllimi: Të krijojmë Ura lidhëse me autoritete të tilla. Dhe pjesëmarrja në këtë event me mbretin është pikërisht mbështetja që na ofroi kryetarja e komunës, fale asaj dite ku ajo ishte e pranishme pra në kremtimet e festës së Pavarësisë.
Juliana ju jeni e angazhuar gjithashtu edhe në mësimdhënien e gjuhës shqipe ne Britani. Për ju cila është rëndësia e ruajtjes së gjuhës shqipe në Diasporë dhe si ka ndikuar puna juaj në këtë drejtim?
Rëndësia e ruajtjes së gjuhës shqipe në Diasporë është pikërisht kjo: Çfarë ne bëjmë çdo ditë e më shumë që ta trashëgojmë tek brezat e rinj, pra tek fëmijët tanë!
Grupi artistik që ne kemi, i cili quhet “Albanian Traditions Uk”, është i përbërë pikërisht nga këta fëmijë dhe të rritur shqiptar, të cilët e duan traditën, e duan kulturën dhe mezi presin të bëhen pjese e eventeve të ndryshme që ne organizojmë.
Çfarë metodash përdorni për të ndihmuar fëmijët shqiptarë në Angli që të mësojnë shqip dhe njëkohësisht të ndihen krenarë për identitetin e tyre?
Metodat që ndjekim janë të bazuara të kurrikula e përbashkët, Shqipëri – Kosovë për mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë. Ne aktualisht punojmë me librat Gjuha shqipe dhe Kultura Shqiptare. Sigurisht nga ana jonë mundohemi që t’ja lehtësojmë sa më shumë fëmijëve mësimin në mënyrë që ta marrin me qejf gjuhen shqipe. Gjithashtu bëjmë ndërthurje pasi i krijojmë mundësi për të mësuar vallet popullore, organizojmë evente të ndryshme me anë të Komunës dhe i përfshijmë dhe fëmijët në evente bashkë me të rritur për të promovuar traditat shqiptare në këngë, valle dhe veshje kombëtare.
Deri më tani si do ta vlerësonit punën me tekstet “Gjuha shqipe dhe Kultura Shqiptare”?
Puna ime ka ndikuar në shumë drejtime, sepse fale një përkushtimi dinjitoz nder vite, tani ndihem krenare kur shoh grupe të ndryshme nga komuniteti që kam të bëj çdo ditë. Duke filluar që nga shkolla shqipe me fëmijët e vegjël, ku një pjesë e tyre kanë një prind shqiptar dhe një prind të huaj dhe s’ka kënaqësi më të madhe sesa kur thonë dhe prindërit e huaj: Duam të mësojmë dhe ne shqip. Dhe disa prej tyre kane filluar kurs gjithashtu.
Cilat mendoni se janë avantazhet e këtij teksti unik në mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë?
Avantazhet janë objektivat e arritura në fund të vitit akademik, ku studentët arrijnë ti plotësojnë 90-100%. Do të shtoja se fëmijët janë të kënaqur me këto tekste.
Cilat janë planet tuaja për të zgjeruar ndikimin tuaj në promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Angli dhe më gjerë?
Planet e ardhme për ruajtjen e gjuhës dhe traditave janë, të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe të bëhet e mundur që të jetë një ndër lëndët mësimore në shkolla edhe “Gjuha shqipe dhe Kultura shqiptare”./ Diaspora Shqiptare/