Komisioni Rregullator në KQZ ka miratuar me pesë vota pro, rregullat për regjistrimin e zgjedhësve jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së tyre, një hap që synon të sigurojë pjesëmarrjen e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë në proceset zgjedhore të vendit.
Vendimi përcakton qartë rregullat mbi regjistrimin e zgjedhësve në përputhje me ligjin, duke theksuar se çdo shtetas që dëshiron të votojë nga jashtë duhet të aplikojë personalisht për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve përkatës.
Procesi i regjistrimit do të kryhet nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa aplikimet do të dorëzohen përmes një platforme elektronike (PER), e cila do të jetë pa pagesë dhe e aksesueshme nga çdo pajisje.
Përmes këtij vendimi, çdo kërkesë për regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit do të ç’regjistrojë zgjedhësin nga lista e brendshme e zgjedhësve, duke shmangur kështu dublikimin e votave.
Platforma elektronike, e cila do të mirëmbahet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garanton një proces të shpejtë dhe të lehtë, duke ulur kostot për zgjedhësit dhe rritur aksesin për të gjithë.
Për të siguruar transparencën, në procesin e hartimit të listës do të përfshihen monitorues të pavarur nga organizatat joqeveritare dhe ndërkombëtare, përfaqësues të partive politike, dhe media. Përfaqësuesit e këtyre palëve do të kenë akses në të gjithë procesin, nga testimi operacional i platformës deri tek mbikëqyrja e kërkesave të dorëzuara.
Vendimi erdhi pas konsultimeve intensive me përfaqësues të diasporës, shoqërisë civile, organizatave joqeveritare dhe partive politike, duke i dhënë rëndësi nevojave të zgjedhësve jashtë vendit dhe përfshirjes së plotë të tyre në procesin demokratik të Shqipërisë.
Regjistrimi në Platformën Elektronike
Regjistrimi i zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit kryhet nga KQZ-ja. Zgjedhësi duhet të paraqesë një kërkesë individuale për tu përfshirë në listën e zgjedhësve nga jashtë pranë KQZ-së nga katër muaj para datës së zgjedhjeve deri dy muaj para kësaj date.
Për të bërë këtë kërkesë zgjedhësi duhet të hapë një llogari falas në Platformën Elektronike të Regjistrimit, e cila do te krijohet nga KQZ-ja, dhe që shkarkohet në celular dhe në kompjuter.
Në këtë platformë zgjedhësi duhet të ngarkojë, numrin personal të identifikimit, ditëlindjen dhe vendlindjen, fotografi, email dhe telefon. Ndërsa për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë ai duhet të ngarkojë në të një pasaportë të Shqipërisë si dhe një dokument që vërteton qëndrimin e tij jashtë vendit, si dhe adresën dhe numrin e banesës, me shtetin, kodin postar, qytetin, rrugën.
KQZ miraton ose jo kërkesën brenda pesë ditësh dhe pas saktësimeve, personi shtohet në listën e zgjedhësve nga jashtë. Kjo listë publikohet dy muaj para datës zdhjeve dhe ajo pritet të përdoret me përditësime në çdo palë zgjedhje të ardhshme për Kuvendin.
Në mbledhjen e sotme, Komisioni Rregullator ka propozuar një projekvendim për miratimin e listës së dokumentacionit të nevojshëm për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që dëshirojnë të votojnë nga jashtë territorit të Shqipërisë. Për këtë proces janë parashikuar nëntë lloje dokumentesh dhe personi i interesuar duhet të ngarkojë në platformën e regjistrimit një nga këto dokumenta:
- Certifikate pronësie ose dokument ekuivalent në shtetin e residencës që provon pronësinë.
- Vërtetim banimi ose një dokument tjetër ekuivalent i lëshuar nga organe shtetërore të vendit të rezidencës ku përcaktohet adresa e banimit.
- Kontratë qeraje ose huapërdorje të banesës
- Kontratë kredie për blerje të banesës
- Kontratë furnizimi ose faturë furnizimi me ujë në banesë
- Kontratë furnizimi ose faturë të energjisë (gaz ose elektike)
- Kontratë ose faturë të shërbimit digjital të transmetimeve audio vizive
- Kontratë ose faturë të shërbimeve të internetit/telefonisë fiks në banesë
- Dokument të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor/kamp emigracioni apo të ngjashëm.
Mbledhja e radhës në prani të aktorëve të interesit, përfshirë dhe organizatat e ndryshme në diasporë është lënë për ditën e nesërme 30 tetor 2024.