Në Ambasadën e Shqipërisë në Athinë u mbajt aktiviteti historiko-kulturor “Gjirokastra,” pjesë e ciklit “Shqipëria Ime,” një nismë që synon të bashkojë dhe promovojë trashëgiminë shqiptare përmes qyteteve të rëndësishme kulturore. Në këtë ngjarje të veçantë u mblodhën gjirokastritë që jetojnë në Greqi dhe dashamirës të kulturës shqiptare, duke krijuar një ambient të ngrohtë e të pasur në vlera.
Pjesëmarrës në aktivitet ishin personalitete të rëndësishme, përfshirë Ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, drejtuesin e Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë, Fitim Gllareva, kryetarët e bashkive Gjirokastër dhe Përmet, Flamur Golemi dhe Alma Hoxha, si dhe figura të njohura të komunitetit shqiptar në Greqi. Ndër të pranishmit ishin gjithashtu gazetari i njohur Ëngjëll Serjani, aktori Nikolla Llambro, akademiku dhe shkrimtari Iljaz Bobaj, si dhe studiuesi Spiro Xhavara.
Ambasadorja shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga, theksoi në fjalën e saj rëndësinë e ruajtjes së identitetit kulturor dhe traditave shqiptare në diasporë. Ajo vlerësoi Gjirokastrën si një “urë të gjallë midis së shkuarës dhe së ardhmes,” duke nënvizuar rolin e këtij qyteti të mbushur me histori si një burim frymëzimi për brezat e rinj.
Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, shprehu mirënjohjen e tij për Ambasadoren Hajdaraga dhe punën e Ambasadës në mbështetjen e traditave dhe kulturës gjirokastrite në Greqi. Në këtë kontekst, ai ritheksoi angazhimin për të ruajtur dhe përhapur trashëgiminë e pasur të qytetit të gurtë të Gjirokastrës.
Mbrëmja u përmbyll me një performancë autentike të iso-polifonisë gjirokastrite nga Landi Cenko dhe grupi i tij, që sollën tingujt e rrallë të muzikës tradicionale shqiptare, duke përforcuar ndjenjën e lidhjes me rrënjët kulturore. Të pranishmit patën gjithashtu mundësinë të shijojnë produkte tradicionale të sjella nga Bashkia Gjirokastër dhe të përgatitura nga komuniteti gjirokastrit në Greqi, duke krijuar kështu një atmosferë të paharrueshme të ndarjes së vlerave dhe të traditave shqiptare.
Ky aktivitet shënon një tjetër hap të rëndësishëm në kuadër të ciklit “Shqipëria Ime,” duke shërbyer si një platformë për të bashkuar shqiptarët e diasporës dhe për të mbajtur gjallë lidhjen me trashëgiminë kombëtare. Me premtimin e vazhdimit të këtij cikli, Ambasada e Shqipërisë në Athinë mirëpret të gjithë të interesuarit në eventet e ardhshme kulturore që do të vijojnë të promovojnë dhe ruajnë kulturën dhe identitetin shqiptar.




