“British – Albanian Woman Association”, organizatë jofitimprurëse me fokus të veçantë të gruaja e komunitetit shqiptar u përurua ditën e djeshme me 18 tetor 2024 në ambientin e ngrohtë të Ambasadës Shqiptare në Londër nën përkujdesin e trupit diplomatik.
Pas përshëndetjes që Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Shqipërisë Z. Uran Ferizi, i drejtoi pjesëmarrësve në këtë organizim, znj. Aida Haziri ideatorja e kësaj shoqate të re tregoi më shumë për këtë organizatë. Ajo shprehu mirënjohjen e saj dhe tregoi se sa shumë është i nevojshëm ky hap bashkëpunimi dhe mbështetje reciproke. Katër shtylla projektesh të lidhura ngushtë me domosdoshmëritë dhe nevojat e grave do ta mbajnë fortë këtë organizatë:
1- Edukimi
2- Integrimi dhe Informacioni
3- Fuqizimi
4- Përfshirja
Të cilat do të hapin një portë ndihmë për gruan në vështirësi dhe jo vetëm. Do të jetë gjithashtu një hap i frytshëm në organizime me nivel, i botës femërore në Mbretërinë e Bashkuar, si një rrjet aktivistesh të cilat do të promovojnë vlerat e gruas shqiptare.
Aktivitete si sfilata e kostumeve popullore në muzeum, festival i ushqimeve shqiptare apo eskursione për të njohur bukuritë e Anglisë dhe shumë të tjera janë disa plane organizimesh me BAWA.
“Me shumë pasion vazhdoj të punoj edhe tani, dhe kjo punë më jep shumë kënaqësi.
Nuk ka gjë më të bukur kur gjatë javës ke punuar për t’jua mësuar gjuhën shqipe të rriturve dhe të shtunën je në mes të fëmijëve shqiptarë, për t’jua mësuar edhe atyre gjuhën tonë të bukur.” – tregon Aida
Rubrika “Të ecim së bashku”, i dha hapësirë prezantimi modeleve femërore, midis shumë e shumë të tjerash që punojnë dhe jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, me sukseset dhe sfidat e tyre në profesione të ndryshme. Të cilat, janë përballur me vështirësi por ia kanë arritur qëllimit për t’u bërë përfaqësuese shqiptare me nivel në diasporë.
Puna dhe vullneti e sidomos këmbëngulja, me besimin e mirë, e bën një grua të eci përpara duke mos lënë pasdore edhe jetën familjare theksuan edhe të ftuarat e aktivitetit Znj. Mira Brazhda, Znj. Rezmije Zeka, OBE, Znj. Desantila Qerimaj Rranxa, Znj. Merita Isufi, Znj. Anila Kadija dhe Znj. Alda Çapja
Pas diskutimeve dhe mendimeve të ndara në këtë mbrëmje një banket miqësor bëri që të vazhdohej biseda e lirë midis të pranishmëve.
Duke i uruar rrugë të mbarë dhe çdo rezultat pozitive kësaj organizate të e re e cila ka si objektiv rritjen e nivelit të femrës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.
Kush është Aida Haziri
Aida është një profesioniste e gjuhës shqipe e cila ka lindur, është rritur dhe e ka marrë shkollimin, Peqin dhe Elbasan, Shqipëri.
Ajo ka përfunduar në Elbasan universitetin “ Aleksandër Xhuvani” dega Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Eksperiencat e saja në vendlindjen kanë qenë sa të vështira po edhe të bukura. Mësuese në fshat dhe më vonë në qytetin e Elbasanit. Ku ka dhënë si gjuhën shqipe ashtu edhe gjuhën angleze. Më vonë ajo u transferua në Angli 1998 ku u rrit profesionalisht. Fillimisht punoi në një restorant Grek, duke vijuar studimet edhe në kolegj “Për përkujdesje fëmijësh” NVQ L2 dhe L3. Po ashtu iu dha mundësia të studionte si “ Mësuese asistente dygjuhësore” ku mori pozicion në shkollë si asistente mësuese TA.
Në 2003, në zonën Sutton, nisi me komunitetin shqiptar si mësuese e gjuhës shqipe dhe më vonë me shoqatën Ardhmëria në 2009 si aktiviste dhe mësuese e asaj shoqate. Duke iu dhënë besimi edhe i koordinatores së shkollave shqipe në këtë shoqatë. Rol të cilin e ka edhe sot.
Aida, në 2010 vazhdoi studimet në “Open University” pa shkëputje nga puna, për gjuhë angleze dhe letërsi botërore. Kontributi i saj si atdhetare dhe profesioniste është i çmuar në aktivitete të përbashkëta pranë muzeumit British Museum dhe në dhjetra e dhjetra aktivitete ku ka përkrahur komunitetin shqiptarë në Londër. Puna në muzeum e rriti cilësisht formimin e saj në vazhdim. Ajo ishte edhe një përkthyese, ndihmoi njerëzit në vështirësi që kishin limitin e gjuhës angleze, për shumë vite.
Në Mars të vitit 2015 mori pozicionin e punës në FCDO ( Në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe) si Professional language trainer. Ku iu mëson gjuhën shqipe të gjithë diplomatëve britanikë, që emërohen si Ambasador apo zëvendës Ambasador në vendet shqipfolëse.