Lajm i mirë për finalizimin e marrëveshjes së pensioneve me Italinë. Sipas deputetit socialist Etjen Xhafaj, më 3 tetor marrëveshja për pensionet e firmosur nga Tirana dhe Roma është miratuar në Komisionet e Politikës së Jashtme, si në Senat edhe në Dhomën e Deputetëve në Itali, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse.
Kalimi në Senat dhe Dhomën e Deputetëve i marrëveshjes së firmosur disa muaj më parë nga palët tregon se mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë dhe 4 mijë italianë janë një hap më pranë përfitimit të pensionit.
Deputeti socialist e njoftoi konkretizimin e këtij hapi në favor të marrëveshjes nga pala italiane përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Xhafaj sqaron se tani mbetet votimi në seancë plenare për të finalizuar marrëveshjen që prek mijëra emigrantë, raporton A2.
POSTIMI i Etjen Xhafaj:
“Dje ka kaluar në Komisionet e Politikës së Jashtme, si në Senat edhe në Dhomën e Deputetëve në Itali, marrëveshja e pensioneve me Shqipërinë, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse. Hapi i fundit mbetet votimi në seancë plenare për këtë marrëveshje, që prek me dhjetëra mijëra shqiptarë. Falënderime për të gjithë ata nga pala italiane e shqiptaro-italiane që janë përfshirë në këtë marrëveshje që në gjenezë të saj!”.
Marrëveshja në fjalë është miratuar nga Parlamenti shqiptar dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Objekti i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë, sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrë-lindjet dhe sigurimin e papunësinë.
Janë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje dhe rreth 4 mijë shtetas italianë në Shqipëri.
Hapat pë krijimin e fondit që do të mbulojë pensionet e shqiptarëve italia i ka hedhur që ne vitin 2022, kur në Ligjin e Buxhetit për vitin 2022 të miratuar në Dhomën e Deputetëve shkruhet shprehimisht: “Me qëllim aktivizimin e marrëveshjes dypalëshe për sigurimet shoqërore me Shqipërinë dhe për t’u garantuar punonjësve në fjalë njohjen e së drejtës për përfitimin nga sigurimet shoqërore, lidhur me pensionin e pleqërisë, invaliditetit dhe të të mbijetuarve, autorizohen 7,6 milionë euro për vitin 2023, 9,8 milionë euro për vitin 2024, 10,9 milionë euro për vitin 2025, 12,3 milionë euro për vitin 2026, 11, 8 milionë euro për vitin 2027, 13,4 milionë euro për vitin 2028, 15,0 milionë euro për vitin 2029, 16.9 milionë euro për vitin 2030, 18.5 milionë euro për vitin 2031 dhe 20.3 milionë euro në vit duke filluar nga viti 2032”.
Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat janë me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë.
Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë. Ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë rënë dakord për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qeveria është në proces të përparuar për marrje miratimit për fillimin e negociatave me Francën