Mbrëmjen e djeshme, në një ceremoni të mbajtur në Sallën e Kongreseve në Zyrih, u zhvillua edicioni i katërt i Ballos së organizatës Swissalbs, e cila bashkon sipërmarrës shqiptarë që veprojnë në Zvicër. Kjo mbrëmje festive pati për qëllim të njohë dhe vlerësojë kontributin e sipërmarrësve dhe individëve të suksesshëm të komunitetit shqiptar.
Për herë të parë këtë vit u nda çmimi “Heroi i Komunitetit”, që iu dorëzua Islam Alijajt, deputetit të parë shqiptar në Parlamentin Federal të Zvicrës.
Alijaj u nderua për angazhimin e tij të palodhur në mbështetje të personave me nevoja të veçanta, një kauzë që ai e ka përkrahur për shumë vite. Ai njihet për rolin e tij si politikan në Partinë Socialdemokrate, por mbi të gjitha për përkushtimin e tij humanitar dhe mbrojtjen e të drejtave të njerëzve në nevojë.
Cmimi prestigjioz i këtij edicioni ai për “Sipërmarrësin e Vitit 2024”, shkoi për Liridona Makica, themeluesen e kompanisë Spitex Dona. Makica, e cila drejton një kompani me mbi 50 punonjës, u vlerësua për shërbimet e saj të kujdesit shëndetësor në shtëpi për pacientët në Zvicër, duke ofruar mbështetje të veçantë në trajtimin mjekësor dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.
Balloja e organizuar nga Swissalbs synon të mbledhë në një vend biznesmenë, profesionistë dhe figura të suksesshme shqiptare në Zvicër, duke i dhënë atyre një platformë për të ndarë sukseset dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social në Zvicër dhe më gjerë. Mbrëmja u shoqërua me këngë nga artistët e njohur Selami Kolonja, Marisa Murtezi dhe Ilir Dërbaçi.