Historiani i njohur gjuhësor Paul Heggarty ka prezantuar në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptar fakte interesante për gjuhën shqipe, ndryshimet që ajo ka pësuar, ngjashmëritë dhe ndryshimet me gjuhët e tjera indoevropiane. Në kumtesën e tij ai gjithashtu ka ngritur alarmin duke u shprehur se gjuha shqipe rrezikon të zhduket si gjuhë. Aio ka konstatuar se nuk mund të krahasohet me ilirishten apo të thuhet se shqipja është pasardhëse e saj, pasi ka vlerësuar se nuk ka të dhëna të mjaftueshme në këtë drejtim.
Në sallën “Idriz Ajeti”, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, hapësirë me emrin e njërit prej themeluesve të Seminarit, gjuha shqipe ishte një nga temat e ligjëratës së tij. ” Një bazë e re e të dhënave, pema familjare dhe hipoteza e origjinës për familjen e gjuhëve indo-evropiane: Çfarë vendi zë shqipja”.
Kur flet për gjuhën shqipe Paul Heggarty thotë se ajo është gjuha më e veçantë ndër të gjitha gjuhët indoevropiane.
“Ajo që është interesante për gjuhën shqipe është se ajo është shumë e dallueshme. Ne nuk kemi gjetur një gjuhë indo-evropiane më të dallueshme se kjo. Është shumë origjinale dhe ka një arsye për këtë.
Një pjesë e arsyes është sepse ka ndryshuar shumë. Ka marrë shumë fjalë nga gjuhë të tjera”, tha ai në ligjëratë.
Në lidhje me atë nëse shqipja është pasardhëse e ilirishtes, ai tha se janë vetëm 300 mbishkrime të kësaj gjuhe që sipas tij nuk mjaftojnë. Ai tha se historia është më e thellë dhe se nuk mund të bëhen interpretime të forta.
“Më e shumta që mund të themi është se gjuhët si shqipja, greqishtja dhe të tjera burimin e të cilave e dimë pak, për të cilat kemi pak materiale, nuk mund t’i dimë, nuk kemi të dhëna. Ka shumë gjuhë dhe varietetet që nuk e dimë saktësisht se nga vijnë problemi me të dhënat gjuhësore është se ato abuzohen për interpretime politike dhe historike”, tha Heggarty, ndërsa e konsideroi si një keqinterpretim idenë se gjuha shqipe është gjuha më e vjetër. Sipas tij, në këtë aspekt duhet pasur kujdes.
“Ideja popullore është se gjuha shqipe është më e vjetra, por nuk është, është një keqinterpretim. Mendoj se duhet pasur më shumë kujdes në këtë aspekt. Problemi është se ka shumë pak të dhëna për ilirishten dhe atë. Është shumë e paqartë. Ka shumë pak material, shkollat kanë mendime të ndryshme”, tha Paul Heggarty, historian i gjuhës me doktoraturë në gjuhësi krahasuese në Universitetin e Kembrixhit në Angli dhe një shkencëtar i lartë në Institutin Max Planck në Jena, Gjermani.
Biografia e tij thotë se ai fokusohet në mënyrën se si gjuhët hapin një dritare në të kaluarën tonë, në lidhje me perspektivat nga gjenetika, arkeologjia dhe historia. Ai ka përvojë të gjerë kërkimore dhe bashkëautorësi në secilën prej këtyre disiplinave, duke synuar të fitojë një kuptim më koherent dhe holistik të (para)historisë. Interesat e tij shkojnë nëpër botë, por janë gjithashtu të përqendruara në Amerikën e Jugut, ku ai tani mban një “cátedra de excelencia” në “Pontificia Universidad Católica del Perú”.
Sipas tij, “gjuhët që ndryshojnë shpejt, për fat të keq vdesin shpejt”. Ai tha se gjuha shqipe po pëson një ndryshim drastik.
“Gjuha shqipe është kaq e dallueshme sepse është njëgjuhëshe. Të gjitha këto gjuhë (gjuhët indoeuropiane) janë të tilla. Por cili është ndryshimi në trungun e gjuhës shqipe? Këto metoda dhe ato që shihni janë plot rezultate. Ky trung i gjuhës shqipe po ndryshon me shpejtësi dhe ky ndryshim me gjuhën shqipe është i pazakontë.
Sipas tij, pritet që gjysma e gjuhëve mund të zhduken brenda dekadave.
“Në botë ka rreth 7 mijë gjuhë dhe gjysma e tyre do të zhduken brenda dekadave ose do të jenë më pak të kuptueshme. Në rastin e shqiptarëve, supozoj se sa më të dallueshme të jenë varietetet e gjuhës shqipe, aq më shumë koherente do të jenë”, tha ai ndërsa vlerësoi se standardet gjuhësore po i vrasin dhe po i homogjenizojnë.
Duke iu rikthyer sërish autenticitetit të gjuhës shqipe, ai theksoi dallimin me gjuhët e tjera. Ai tha se ka një dallim të madh me gjuhën angleze. Sipas të dhënave të tij, shqipja dhe anglishtja kanë vetëm 7.4 për qind ngjashmëri.
Ai ka theksuar disa herë se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër, nuk ka datëlindje.
Duke u thelluar më tej në dialektet e saj, ajo tha se ato janë 89.5 për qind të ngjashme.
“Tani a duhet të jetë standardi toskrëtishtja? Kur bëhet ky dallim, shohim se 89.5 për qind e dialektit gege i afrohet standardit dhe toskreshtishtes”, tha ai, duke treguar se ka një ndryshim të theksuar me gjuhën që flitet nga arbëreshët.
“Nga ana tjetër standardi me gjuhën që flasin arbëreshët është krejtësisht tjetër. Fjalët më të qëndrueshme janë të përafërta dhe po ndryshojnë shumë. Ndarja në gegë dhe toska është fonologji e vjetër, para se të largoheshin arbëreshët. Por kontaktet vazhduan dhe kjo ka ngadalësuar ndryshimin në përgjithësi. Ky lloj leksiku nuk ekziston në gjuhët gjermanike për shembull, varieteti toskan nuk është shumë i theksuar, pasi banorët e zonave malore atje kanë qenë të vazhdueshme”, tha më tej Heggarty në ligjëratën e mbajtur në “Ora e Rexhep Ismajlit”.
Seminari i cili filloi të hënën do të vazhdojë me ligjërata, diskutime dhe kurse gjuhësore.