Sot u hap në Prishtinë edicioni i 42-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare, një ngjarje e shënuar që përkon me përvjetorin e 50-të të Seminarit të Albanologjisë. Kjo veprimtari akademike me traditë të gjatë ka sjellë bashkë ekspertë të fushës nga mbarë bota dhe ofron një platformë të pasur për diskutime shkencore, vizita studimore dhe aktivitete kulturore.
Në ceremoninë e hapjes, Mehmet Kraja, drejtori i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, evokoi sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar këtë seminar ndër vite. Ai theksoi rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje për studimet shqiptare dhe kujtoi se Seminari ka luajtur një rol kyç në afirmimin e albanologjisë në nivele ndërkombëtare.
Profesori Bardh Rugova, drejtori i Seminarit, vlerësoi figurën e akademikut Rexhep Ismajli, themeluesit të Seminarit, duke theksuar se ai ka kontribuar në vendosjen e albanologjisë në një piedestal botëror. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, bëri thirrje për një bashkëpunim të përforcuar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e dijes dhe albanologjisë, duke nënvizuar rëndësinë e një vizioni të përbashkët për të ardhmen.
Në këtë edicion, i cili do të vazhdojë me një sërë aktivitetesh, përfshirë tryeza shkencore dhe vizita kulturore, do të nderohet gjithashtu edhe vepra e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vlerësoi kontributin historik të Seminarit në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqiptare, duke theksuar se ky aktivitet ka përballuar sfida të mëdha gjatë dekadave, përfshirë edhe mbylljen e tij në vitin 1981 nga regjimi serb.
Organizatorët kanë ftuar disa prej figurave më të shquara të albanologjisë dhe gjuhësisë në botë, duke përfshirë emra si Brian Joseph, Ranko Matasoviq, Jose Manuel Floristan Imizcoz, Phil Hubbard, Rexhep Ismajli dhe Oliver Jens Schmitt, të cilët do të kontribuojnë me ligjëratat dhe diskutimet e tyre në këtë përvjetor të rëndësishëm.