Përkthimi është një art i heshtur që shpesh mbetet nën hijen e krijimtarisë origjinale, mesazhin e së cilës përkthyesit i duhet ta sjellë qartë, duke ruajtur thelbin dhe emocionin e çdo fjale apo poezie.
Një punë e imët, e lodhshme e, një kërkim i përhershëm mes dy gjuhëve. Këtë përvojë ndan në intervistën e mëposhtme përkthyesja Eleana Zhako, e cila ka bashkëpunuar me Qendrën e Botimeve Për Diasporën për të përkthyer në gjuhën greke “Përmbledhje me Poezi” nga Dritëro Agolli.
Ky përkthim nuk është thjesht një ushtrim gjuhësor, por një urë kulturore që lidh dy popuj. Nëpërmjet këtij projekti, poezia e Agollit gjen një jetë të re mes lexuesve grekë, duke kontribuar në pasurimin e kulturës dhe literaturës. Përkthyesja shpreson që kjo antologji të ndihmojë në ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë dhe të nxisë dy gjuhësinë tek shqiptarët e rinj në Greqi dhe grekët në Shqipëri.
Po e nis këtë intervistë nga fundi. Cila ishte ndjesia që pate pas përfundimit të përkthimit të poezisë së fundit të kësaj përmbledhjeje?
Në përgjithësi procesi i përkthimit të antologjisë në fjalë ishte për mua një rizbulim, një rinjohje me krijimtarinë e Dritëro Agollit, pasi për herë të parë përktheva një numër të madh të poezive të tij. Si rrjedhim, ndihem sikur kam hyrë edhe më thellë në thelbin e kuptimeve dhe në teknikën e tij poetike. Kur mbarova dhe poezinë e fundit, u ndjeva e përçliruar, por edhe më e pasur gjuhësisht. Nga ana tjetër, u pushtova njëkohësisht nga ndjenja e përgjegjësisë ndaj veprës së një poeti kaq të njohur.
Cilat ishin disa nga sfidat kryesore që hasët gjatë përkthimit të poezive të Agollit? A kishte ndonjë poezi që ishte veçanërisht e vështirë për të përkthyer?
Siç ndodh në përgjithësi me poezitë me rimë, sfida kryesore ishte mbajtja e rimës gjatë përkthimit në gjuhën greke. Nga një aspekt më personal, u riktheva disa herë te poezia “Atdheu” dhe “Kur të jesh mërzitur shumë”, ngaqë këto mbaja mend më mirë nga vitet e shkollës në Shqipëri, gjersa të arrija versionin përfundimtar, kurse nga ana teknike më vështirësuan poezi si “Monumenti i kalit”, “Tani dhe Larani” etj, për shkak të vargjeve të shkurtër në krahasim me vargjet e poezive të tjera.
Si arritët të ruani ndjesinë dhe ritmin e poezive të Agollit në gjuhën greke, duke marrë parasysh dallimet kulturore dhe gjuhësore?
Poezitë e Dritëro Agollit përmbajnë imazhe poetike dhe artistike, që tërheqin edhe lexuesin e huaj. Besoj se ndjesia e poezive të tij, mund të transferohet në çdo gjuhë me sukses. Sa për ritmin dhe rimën, është i pashmangshëm rindërtimi gjer në njëfarë pike, gjatë përshtatjes në një gjuhë të huaj. Personalisht mundohem të aplikoj, atë që rastësisht lexova para pak kohësh në një intervistë të një përkthyesi grek, se përkthimi duhet të jetë “ besnik, sa është e mundur dhe i lirë, sa është e nevojshme”.
Cilat janë disa teknika që përdorni për të përshtatur poezinë nga shqipja në greqisht pa humbur thelbin dhe emocionin e veprës origjinale?
Përkthyesi duhet t’i jetë sa më besnik tekstit origjinal. Të paktën unë këtë mundohem të bëj. Por, përtej kësaj, mundohem që poezia në greqisht të jetë edhe cilësore, të duket si poezi e shkruar në greqisht, të përmbajë një gjuhë, që korrespondon me gjuhën e Agollit. Gjuha e tij është popullore, pra edhe në greqisht duhet të jetë e tillë, ndërsa kur është më e përpunuar, njësoj duhet të përcillet edhe në gjuhën greke.
Si mendoni se përkthimi i kësaj përmbledhjeje mund të ndihmojë ose ndikojë në përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në komunitete shqiptare në Greqi?
Elementi oral dhe popullor, që përmbajnë poezitë e Agollit, si dhe rima që i shoqëron bashkë me subjektet e përzgjedhura, ndihmojnë në ndërmendjen më të lehtë të vargjeve. Sigurisht, që leximi dhe rileximi i tyre, përbën një gurrë leksikore të rëndësishme për shqiptarët e diasporës.
Çfarë roli mendoni se luan përkthimi i poezive të Agollit në ndihmën për dy gjuhësinë, veçanërisht për ata që mësojnë shqipen në Greqi dhe greqishten në Shqipëri?
Përkthimi në fjalë, sikurse të gjitha përkthimet dygjuhëshe dhe veçanërisht ato letrare, do t’i japë mundësinë lexuesve të të dy gjuhëve t’i lexojnë poezitë në një plan krahasues, të thellohen mbi fjalë të caktuara, të njohura apo të panjohura dhe të vetëdijësohen më tepër mbi vështirësitë e sjelljes së një teksti në një gjuhë tjetër; të kuptojnë se si firon apo pasurohet një tekst kur i nënshtrohet një regjistri të ndryshëm gjuhësor, transformimet e ndryshme dhe pengesat, që i është dashur të kapërcejë përkthyesit gjatë këtij procesi.
Ngaqë botimet poetike dygjuhëshe nga shqipja në greqisht janë të pakta, botimi në fjalë do ta ndihmojë lexuesin dygjuhësh të njihet me poezinë e Agollit dhe tiparet e saj, kontributin e tij në letërsinë shqipe të periudhës së pasluftës e gjer në vitet ’90, fjalorin letrar e gjuhësor të poetit dhe aspekte të tjera më specifike.
Si e vlerësoni ndikimin e poezive të Dritëro Agollit te lexuesit grekë? Çfarë elementi të veçantë mendoni se sjellin këto poezi për kulturën greke?
Poezia e Agollit për lexuesin bashkëkohor grek, mbart më tepër vlera tradicionale, në kuptimin, që i shtohet listës së poetëve shqiptarë më të vjetër të përkthyer në greqisht, duke kontribuar në këtë mënyrë në pasurimin e panoramës së poezisë shqipe të përkthyer në këtë gjuhë. Por krahas kësaj, ato spikasin për lirizmin popullor dhe figuracionin artistik. Një vlerë më të veçantë mbart për studiuesit e letërsisë së krahasuar.
Si ndikon përvoja juaj personale dhe njohuria e dy gjuhëve në punën tuaj si përkthyese? Çfarë përparësish ju ofron kjo dy gjuhësi në përkthim?
Njohja e të dyja gjuhëve më ka ndihmuar në përmirësimin dhe pasurimin e fjalorit tim gjuhësor, në lëvrimin e karakteristikave dhe veçantive të secilës gjuhë, por edhe disa të përbashkëtave mes tyre. Përparësia kryesore, që të jep njohja ekuivalente e të dyja gjuhëve është njohja e fjalëve shumëkuptimëshe, pra e atyre që mbartin më tepër se një a dy kuptime, në mënyrë që të përcillet saktësisht në njërën apo tjetrën gjuhë, sidomos në ato raste, kur nuk ekziston mundësia objektive e ballafaqimit me autorin. Një përparësi tjetër, që të jep dygjuhësia, sidomos kur ke jetuar dhe je shkolluar për një periudhë të gjatë në të dyja vendet, është njohja e mentalitetit gjuhësor dhe e zhargonit përkatës. Por, përtej përparësive, kur një përkthyes përkthen në të dyja gjuhët, kjo punë është më e mundimshme, më kërkuese dhe më sfiduese, se sa ajo e përkthyesit nga një gjuhë e vetme.
Cilat janë disa këshilla që do t’i jepnit përkthyesve të rinj që duan të përkthejnë poezi, veçanërisht nga shqipja në greqisht apo anasjelltas?
Këshilla kryesore, që do t’i jepja një përkthyesi në rastin që do të donte të përkthente nga shqipja në greqisht, është të jetë i familjarizuar me letërsinë greke, mundësisht të ketë jetuar më gjatë në Greqi sesa në Shqipëri, që presupozon, që një pjesë të shkollimit ta ketë kryer në Greqi dhe sigurisht të zotërojë edhe shqipen, në rastin që është arsimuar kryesisht në Greqi. E njëjta gjë, vlen edhe për përkthimin nga greqishtja në shqip, me ndryshimin se ngaqë në Shqipëri ka dy katedra universitare të greqishtes dhe një minoritet grek, ku mësimdhënia kryhet në të dyja gjuhët, është disi më i lehtë ky proces përkthimi.
A keni ndonjë projekt tjetër përkthimi në të ardhmen? Cilat janë disa nga autorët shqiptarë që do të dëshironit të përktheni në greqisht?
Në gjuhën greke kam tre projekte përkthimi, libri “Nitroglicerina” i poetes Maklena Nika, që sapo u aprovua për përkthim nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, libri i Mimoza Hysës “Bijat e gjeneralit”, që do të botohet në vjeshtë të këtij viti dhe një antologji të vogël poezisë shqipe për revistën letrare greke “Teflon”. Ndërsa në shqip, “Pavdekësia e qenve” të shkrimtarit grek Kostas Mavrudhis (Botimet Onufri) dhe dy-tre autorë të tjerë.
*Intervista është publikuar fillimisht në revistën “Flasim Shqip”, botim i Qendrës së Botimeve për Diasporën.
Revistën e plotë mund ta lexoni këtu:
https://drive.google.com/file/d/1Iq9gSyhq_UZ4yA-KlIE3quOFviekjO4c/view