Në vetëm tre javë, kënga më e fundit e këngëtares me origjinë shqiptare Enisa në bashkëpunim me yllin e muzikës greke, Anastasia, ka marrë më shumë se katër milion klikime në YouTube. Dy artistet e reja, të cilat në këtë bashkëpunim ngjajnë si dy pika uji, sjellin një kombinim të muzikës pop me ritmet etnike në një këngë bashkëkohore me identitet të fortë, të titulluar “Alo”.
“Këngëtarja e hiteve Anastasia bashkëpunon për herë të parë me super yllin botëror Enisa dhe na thonë ‘Alo’ përmes hitit të tyre të ri,” shkruajnë gazetat greke.
Kënga “Alo,” një këngë me ritme verore, pritet të jetë një sukses në klasifikimet europiane dhe botërore. E veçanta e këngës është teksti në tre gjuhë: këngëtarja greke Anastasia interpreton në gjuhën e saj, ndërsa Enisa në anglisht, gjuhën e vendit ku është rritur. Surpriza qëndron në refren, ku të dyja këngëtaret interpretojnë edhe në gjuhën shqipe, një detaj që mediat greke duket se kanë harruar ta përmendin shkruan Diaspora Shqiptare.
Enisa, krenare për përkatësinë e saj etnike, e shfaq atë në çdo dalje publike, ku pothuajse gjithmonë mbizotëron kombinimi kuq e zi. Kjo ishte e dukshme edhe në performancën dhe prezantimin e parë të këngës pak ditë më parë në ceremoninë e MAD Video Music Awards, ku të dyja këngëtaret ishin veshur kuq e zi gjatë performancës.
Ky është ndoshta i vetmi rast bashkëpunimi në muzikë, të paktën në 30 vitet e fundit, ku një këngëtare greke interpreton edhe në gjuhën shqipe. Ky bashkëpunim tregon se shqipja dhe shqiptarët në vendin fqinj po konsiderohen gjithnjë e më shumë si të barabartë. Në videoklip, Enisa padyshim që i bën jehonë origjinës së saj, pasi në një pjesë të tij ajo shfaqet me veshje kombëtare duke kërcyer valle tradicionale.
Ky bashkëpunim mes dy artisteve u realizua disa javë më parë në Quad Recording Studios në Nju Jork, një studio ku kanë regjistruar dhjetëra yje të industrisë së muzikës botërore si Michael Jackson, Mariah Carey, Madonna, Whitney Houston, Shakira, Beyonce, Jay Z, Tupac, Bob Dylan, Metallica, Mick Jagger, dhe Gloria Estefan. Së bashku ata krijuan “Alo”, një këngë emocionuese në greqisht, anglisht dhe shqip, e cila pritet të jetë publikimi më i nxehtë i verës.
Bashkëpunimi mes Enisa dhe Anastasia është një shembull i fuqisë së muzikës për të bashkuar kultura të ndryshme dhe për të krijuar një dialog të ri ndërmjet popujve. “Alo” është një dëshmi e kësaj force dhe një sukses që vetëm sa ka filluar të shfaqet./ Diaspora Shqiptare/