Në botën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, emri i Regont Arnorit është ai i një ylli në rritje. Një ekspert në ndërtimin e zgjidhjeve universale që përqafojnë diversitetin njerëzor, djali me origjinë shqiptare sjell një qasje inovative dhe gjithëpërfshirëse që transformon mënyrën se si ne përjetojmë teknologjinë.
Me një diplomë në dizajn gjithëpërfshirës nga Departamenti i Shkencës Kompjuterike në Universitetin Metropolitan të Oslos (OsloMet), Regonti ka ndërtuar një karrierë të mbushur me arritje të jashtëzakonshme. Si Partner dhe Project Manager në firmën prestigjioze norvegjeze ‘Inclusive Creation’, ai ka udhëhequr projekte ndërkombëtare që kanë pasur një ndikim të madh në industrinë e IT-së.
Një ndjekës i pasionuar i Dizajnit Gjithëpërfshirës, ndërtimit të markës, vizualizimit dhe tregimit të historive, Regonti ka më shumë se 10 vjet përvojë në këtë fushë. Së fundmi falë përvojës dhe vizionit të tij ai është një prej flësve më të kërkuar në konferenca të rëndësishme që trajtojnë teknologjitë asistuese dhe Dizajnin Gjithëpërfshirës. Hapësira në të cilat ai ndan njohuritë dhe përvojën e tij me audienca të ndryshme dhe të larmishme.
Përveç angazhimeve të tij në ‘Inclusive Creation’, Regonti është edhe themelues i firmës së tij të konsulencës digjitale, ‘Arnori’. Kjo firmë, me fokus në dizajnimin e web-it, strategjinë dhe ndërtimin e brendit, ka sjellë një qasje të re dhe inovative në tregun e konsulencës digjitale në Oslo.
Vlen të përmendet pjesëmarrja e tij në një Panel Diskutimi të mbajtur në qendrën e famshme The Conduit në Oslo, i organizuar nga gjiganti amerikan Squarespace. Ky event, i fokusuar tek sipërmarrësit, start-up-et dhe marketinguesit digjitalë, shqyrtoi rëndësinë kritike të prezencës digjitale në botën e biznesit.
Gjatë këtij paneli, Regonti ndau rrugëtimin e tij me ‘Inclusive Creation’, duke shpjeguar sfidat dhe sukseset që e kanë formësuar kuptimin e tij për sipërmarrjen dhe prezencën digjitale. Ai e përshkroi prezencën digjitale si një shtëpi në internet ku njerëzit vijnë për të mësuar, ndërvepruar dhe krijuar marrëdhënie të qëndrueshme.
Regonti është një zë i fuqishëm dhe një vizionar në fushën e Dizajnit Gjithëpërfshirës, duke sjellë ndryshime pozitive dhe inovative në industrinë e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Me angazhimin e tij të palodhur dhe pasionin për përmirësimin e eksperiencave të përdoruesve, ai vazhdon të jetë një udhëheqës dhe një frymëzim për shumë të tjerë në këtë fushë.