Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, më 22 Qershor 2024, në Hania u organizua një mbrëmje festive me temë “Fëmijët tanë, e ardhmja jonë”. Organizimi u realizua nga një bashkëpunim i ngushtë mes Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, Shoqatës Shqiptare Kisamo “Kastel”, Komunitetit Shqiptar Rethimno, Komunitetit Shqiptar Selyno Hania dhe Komunitetit Shqiptar Iraklio.
Ngjarja u organizua nga Komuniteti Shqiptar i Hanias me mbështetjen e kryetarit të tij, zoti Afrim Avdiaj. Fëmijët nga kurset e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në ishullin e Kretës prezantuan një program të larmishëm artistik. Në këtë organizim ishin të ftuar përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga e gjithë Kreta, si dhe përfaqësues nga Athina, Korinthi dhe Mesologji.
Përshëndetja e Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Athinë, zonjës Luela Hajdaraga, erdhi ndërmjet një videomesazhi, duke i dhënë vlerë të veçantë këtij organizimi. Programin artistik e hapi zëvendëskryetarja e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, znj. Klarita Selmanaj, e cila ftoi të gjitha kurset në skenë. Fëmijët recituan, kënduan dhe kërcyen vallet tradicionale shqiptare, duke i dhënë mbrëmjes një atmosferë të gjallë dhe emocionuese.
Ardhja e mësueseve dhe nxënësve nga Iraklio, Rethimno, Kisamo dhe Hania tregoi përkushtimin e tyre ndaj ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare. Në këtë rast, u shprehën falenderime dhe nderime për mësueset: Klarita Selmani, Jerida Kulla, Keti Bandilli, Edlira Xhani Velaj, Nertila Ismaili dhe Mimoza Pojani.
Mbrëmja festive u mbyll me një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, falë pjesëmarrjes masive të bashkatdhetarëve dhe mbështetjes së organizatave të ndryshme. Një falenderim i veçantë iu adresua grupit muzikor “Çunat e Hanias” dhe artistit Altin Malo për performancën e tyre të mrekullueshme.
Ky event tregoi edhe një herë përkushtimin e komunitetit shqiptar në Kretë për të ruajtur dhe promovuar gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke u bërë një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit dhe solidaritetit mes shqiptarëve të diasporës.




